E Diel, 1 Nëntor 2026

McCormack-Bumçi: Zgjedhjet, një hap përpara drejt konsolidimit demokratik

TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi zhvilloi sot një takim me kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të ODIHR-it, Costance Berryman McCormack, si dhe zëvendëskryetarin e këtij Misioni, Harald Jepsen, një ditë para largimit të tyre nga vendi ynë.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime rreth procesit zgjedhor dhe rezultateve të misionit të vëzhgimit.

Nga ana e saj, Znj. McCornack falenderoi Ministrin Bumçi për bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me vëzhguesit ndërkombëtarë. Në veçanti, ajo shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor. Sa i përket procesit të numërimit të votave, kryesuesja e ODIHR-it u shpreh se procesi ishte transparent dhe profesional.

Ministri Bumçi e falenderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj personal dhe për punën e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se këto zgjedhje shënuan një hap përpara drejt konsolidimit demokratik dhe proceseve integruese të vendit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›