E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA ul çmimet e biletave për Botërorin “Brazil 2014"

Nga frika e protestave të mundshme gjatë Kupës së Botës në futboll, Brazil 2014, FIFA ka vendosur që biletat e ndeshjeve të jenë më të lirat në histori. Sekretari gjeneral i FIFA-s, Zherome Valcke, tha se biletat e botërorit të ardhshëm të futbollit do të jenë deri në 70 % më të lira nga botërorët e deritashëm të zhvilluar. Çmimet e biletave të botërorit të Brazilit do të zyrtarizohen më 19 korrik.

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, deklaroi se është i kënaqur me organizimin e Kupës së Konfederatave, që është një test i vërtetë për Kupën e botës, por e pranoi se ia ka pasur frikën protestave. Në këtë drejtim duket se vjen edhe lirimi i madh i biletave për të ndjekur ndeshjet, duke ndërmarrë masa brenda mundësive që botërori i ardhshëm të mos shndërrohet në një shfaqje anarkie.

Vendësit në Brazil u ankuan shpesh për çmimet e shtrenjta të biletave edhe në Kupën e Konfederatave. Madje kishte edhe spanjollë apo tifozë të vendeve të tjera pjesëmarrëse që deklaronin që veç biletës së shtrenjtë, nuk kishte asnjë mundësi ulje, qoftë për fëmijët apo persona me aftësi të kufizuar, pa përmendur pastaj çmimet shumë të shtrenjta të pijeve dhe fast-food-eve në stadium. Siç duket, FIFA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dhe ka ulur biletat për Botërorin e vitit të ardhshëm.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›