E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

McGonigal “pushton” Kuvendin, Salianji: SHISH dhe SPAK të përgjigjen brenda 15 ditësh! Mazhoranca i frikësohet popullit

Çështja McGonigal ka qenë kryefjala e debateve në seancën plenare  të kësaj të enjte. Deputeti i PD, Ervin Salianji i ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit SHISH dhe SPAK që t’i kthejë përgjigje për pyetjet që u ka dërguar për çështjen McGonigal. Për deputetin demokrat, kolegët e mazhorancës janë kukulla të Kryeministrit Edi Rama që nuk kanë fuqi të japin përgjigje mbi takimet e zhvilluara mes ish-agjentit të arrestuar të FBI-së dhe Kryeministrit Rama.

“Brenda 15 ditësh SPAK dhe SHISH të kthejë përgjigje për pyetjet që kam çuar për MCgonigal. Keni kapur të gjitha institucionet. Ju ka bërë të rrini me kokën ulur, nuk keni fuqi, jeni mekanizma. Parlamenti që të ketë sens, duhet të hymë në procedurën normale duhet të pranoni kërkesat tona për komisione. Ju kërkoni të përjashtohen deputetët dhe të ulen. Dhe nga deputetët keni frikë, jo më nga populli”, tha Salianji.

 Më tej deputeti demokrat Gazment Bardhi theksoi se kryeparlamentarja Lindita Nikolla po shkel rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, qytetarëve shqiptarë nuk mund t’u jepet perceptimi se në Parlament po ndodh konfrontim fizik mes deputetëve të opozitës dhe gardës.

“Shfaqja që lejoni në këtë kuvend në çdo seancë, që deputetët rrethohen nga garda, është shfaqja  më e turpshme., nuk ka rrezik këtu për konfrontim fizik. Pse duhet të rrethohemi nga garda?? Regjim autoritar jemi ne? Kthe normaliteti në seanca plenare. S’mund t’i japim perceptimin qytetarëve se po ndodh konfrontim fizik”, tha Bardhi.

E teksa debatet në Kuvend vijojnë për ështjen McGonigal, opozita po zhvillon paralelisht protestën jashtë ambienteve të Parlamentit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›