Mcllwham:Gratë të angazhohen në jetën publike dhe politike

Ambasadorja britanike, Fiona Mcllwham, në një takim të zhvilluar me gratë e Burrelit, theksoi të drejtat e grave dhe angazhimin e tyre në jetën publike dhe politike, si një element thelbësor i një shoqërie demokratike dhe një nxitës të zhvillimit ekonomik dhe social.
Zonja McIIwham foli për kuotën prej 30% të Kodit Zgjedhor dhe mbështeti rekomandimet e fundit të ODIHR-it për të përmirësuar zbatimin e kësaj kuote.
Ajo gjithashtu foli për përvojën e Mbretërisë së Bashkuar në progresin për të drejtat e grave dhe të angazhimit të tyre publik.
Ambasadorja britanike u takua gjithashtu me kryetaren e bashkisë Burrel, zonjën Farrici dhe Këshillin Bashkiak të Burrelit. Ajo mori përshtypje shumë të mira nga bashkëpunimi i ngushtë ndërpartiak midis anëtarëve të Këshillit dhe kryetares së bashkisë, dhe nga angazhimi i tyre për të punuar së bashku për të mirën e qytetarëve të Burrelit.
Ambasadorja ishte shumë e kënaqur për këtë model pozitiv të qeverisjes vendore të drejtuar nga një grua.