E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i Përgjithshëm i KE-së, Thorbjorn Jagland, letër Komisionit të Venecias

02/09/2011  Këshilli i Evropës i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias për të dhënë opinionin e tij mbi problematikën zgjedhore në Shqipëri. Nisur nga situata e krijuar përgjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet lokale të 8 majit, si dhe mosmarrëveshjet e lindura mes palëve mbi këtë proces, Këshilli i Evropës ka kërkuar nga ky komision që të japë opinionin e tij, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të ligjit elektoral në vendin tonë, si dhe eliminimin e çdo anomalie në zgjedhjet e ardhshme. Ishte vetë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ai i cili i ka dërguar një letër presidentit të Komisionit të Venecias, ku i ka kërkuar të shqyrtojë situatën paszgjedhore në vendin tonë, e konkretisht për shpalljen e fituesit të mandatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Letra

Problematika e zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri dhe konkretisht procedurat e ndjekura për shpalljen e fituesit për kryesimin e Bashkisë së Tiranës, do t’i nënshtrohen një opinioni të Komisionit të Venecias. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland i është drejtuar përmes një letre presidentit të këtij Komisioni, duke i kërkuar një opinion këtij institucioni mbi një çështje të tillë. “Ju padyshim jeni njohur më situatën që pasoi zgjedhjet lokale në Shqipëri, në veçanti mosmarrëveshjet për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës. Unë e kam ndjekur situatën shumë nga afër dhe adresova çështjet tek autoritetet shqiptare, dhe konsideroj që Këshilli i Evropës duhet të bëjë gjithçka është e mundur që në Shqipëri të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen”, citohej në letrën e Jagland për presidentin e Komisionit të Venecias. Njëkohësisht, duke qenë më i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij, Jagland i kërkoi këtij komisioni që të ndërhyjë përmes opinionit të tij, me qëllim që të minimizohen të tilla problematika në zgjedhjet e ardhshme. “Unë do t’ju isha mirënjohës, nëse Komisioni i Venecias do të mundë të hartojë një opinion me përmirësimet që duhet t’i bëhen legjislacionit të zgjedhjeve dhe të aplikohen në Shqipëri, duke marrë në konsideratë edhe eksperiencën në zgjedhjet e fundit”, shkruhej në këtë letër.

Qëndrimi

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland, qe shprehur më herët për ndërmarrjen e një hapi të tillë. Madje, në këtë kuadër, ai nuk përjashton një vizitë në Shqipëri gjatë vjeshtës, siç thuhet në faqen e tij zyrtare, në funksion të zbatimit të opinionit të Komisionit të Venecias në dhjetor. Ndërkohë që nga ana e saj Partia Socialiste i pati kërkuar KE-së që të ndërmerrte një veprim të tillë, pasi Komisionit i Venecias e ka të përcaktuar qartë kur dhe si mund të vihet në lëvizje për të dhënë opinione të caktuara.

Paszgjedhjet, Jagland letër Berishës

Në qershor të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, i drejtoi një tjetër letër Kryeministrit Berisha, ku i shprehu shqetësimet e tij për situatën paszgjedhore në vend. Njëkohësisht në këtë letër Jagland i bëri me dije kreut të ekzekutivit se do të adresonte problematikën e zgjedhjeve shqiptare në Komisionin e Venecias. Gjithashtu, duke shprehur miqësisht shqetësimin e tij, Jagland i bëri apel Kryeministrit Berisha dhe liderëve të forcave të tjera politike të hyjnë menjëherë në dialog të sinqertë për të kapërcyer ngërçin politik, pasi një situatë e tillë cenon rëndë procesin e integrimit të vendit për në BE. Madje, duke synuar që të shmangë në të ardhmen çdo problematikë në zhvillimin e proceseve zgjedhore, Sekretari i Përgjithshëm i KE-së, Jagland, informoi Kryeministrin Berisha se për bazën ligjore mbi të cilën është marrë vendimi i Kolegjit Zgjedhor ai do të kërkojë personalisht opinionin e Komisionit të Venecias.

Tirana, kërkesat e PS-së për “Venecian”

Partia Socialiste i pati kërkuar KE-së që të adresojë për opinion në Komisionin e Venecias rezultatin e Tiranës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, përmes një shkrese dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Jagland, kërkonte që Komisioni i Venecias të përcaktonte ligjshmërinë për procesin zgjedhor të 8 majit. Ndërkohë që në media u bënë publike dhe kërkesat ku PS kërkonte:

1- Si duhet të trajtoheshin nga KQZ fletët e gjetura në kutitë e gabuara?

2- A mundej KQZ që pas përfundimit të procesit të numërimit, më 14 maj, të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re, duke ndryshuar rezultatin?

3- A jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme, pasi nga tabela e rezultatit të KQZ dalin më shumë fletë të gjetura në kuti sesa numri i votuesve?

4- A ishin zgjedhjet e 8 majit të lira dhe të ndershme sipas standardeve?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›