E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli fton opozitën për integrimin

02/09/2011  Para nisjes së sesionit parlamentar, Kryeparlamentarja kërkon bashkëpunimin e socialistëve

“Vendi ka nevojë për mbështetjen e opozitës, për votën e saj për 12 rekomandimet”

Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është treguar e kujdesshme që për një fillim të mbarë të ftojë kolegët e opozitës për të marrë pjesë në të. Duke kujtuar se integrimi në BE i Shqipërisë nuk është as majtas as djathtas, por është objektiv kombëtar, shefja e Kuvendit u kërkoi të gjithë deputetëve të majtë dhe të djathtë të punojnë dhe votojnë së bashku. “Unë jam sot këtu për të ftuar kolegët e mi, deputetë të mazhorancës dhe të opozitës, të punojmë e të votojmë bashkë. Ne po hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature. Ne kemi privilegjin dhe mundësinë të bëjmë hapa të tjerë drejt BE-së. Integrimi në BE i Shqipërisë nuk është as majtas, as djathtas. Integrimi në BE është objektivi ynë kombëtar. Çdo gjë që i bashkon shqiptarët, duhet të na bashkojë edhe ne me votë në Parlament”, tha Kryetarja Topalli në një konferencë për shtyp. Numri një i Kuvendit tha se strategjia e bojkotit nuk bën sens në shekullin XXI dhe se është një anakronizëm i skualifikuar. “Të gjithë deputetët duhet të votojnë ligjet që BE-ja i kërkon nga ne shqiptarët. Kur hoqëm vizat, mjaftuan vetëm votat e mazhorancës. Sot për stacionet e tjera drejt BE-së duhet edhe vota e opozitës”, theksoi Topalli. Ajo bëri një përmbledhje të ligjeve të votuara nga Kuvendi në këtë legjislaturë, duke vënë theksin tek reformat e tjera që e presin këtë institucion në këtë sesion. Siç tha ajo, disa kërkojnë vetëm kartonin jeshil, ndërsa disa të tjera shumë më shumë. “Së shpejti fillon sesioni i ri parlamentar. Fillon puna për vitin e tretë të kësaj legjislature. Në vitin e parë Kuvendi ka miratuar 241 ligje. Në vitin e dytë kaluam reforma, votuam 233 ligje e marrëveshje, që veç të tjerave bënë të mundur lëvizjen e lirë. Këtë sesion na presin shumë reforma të tjera. Mes tyre na presin disa ligje që kërkojnë votat edhe nga opozita. Disa nga këto ligje janë gati. Mjafton vetëm që të gjithë deputetët të çojnë kartonin jeshil. Reforma zgjedhore kërkon më shumë se kaq. Por, në fund, të gjitha kërkojnë vullnet të mirë dhe çdo deputet të nderojë betimin që ka bërë”, nënvizoi Kryeparlamentarja. Kuvendi, sipas saj, është vendi i punës që shërben për hedhjen e hapave pozitivë drejt BE-së dhe jo i deklaratave pa fund. “Kuvendi nuk mund të jetë pa fund vetëm vendi i deklaratave, por edhe i punës për të gjithë. Dhe kjo së pari kërkon që të gjithë deputetët të fokusohen në një angazhim konstruktiv. Parlamenti është institucioni qendror i demokracisë. Parlamenti është institucioni fondamental i shtetit. Aty janë diskutuar e aprovuar të gjitha ligjet, reformat që kanë ndryshuar vendin, pavarësisht vështirësive”, e vijoi më tutje deklaratën e saj Topalli. Duke e cilësuar urgjente çështjen e integrimit të vendit, Topalli tha se shumë objektiva duhet të arrihen brenda muajit shtator. “Nuk duhet të lëmë në ligj asnjë boshllëk. Kjo është detyrë. Por edhe për këtë duhet angazhimi edhe i opozitës. Interesat publike, respektimi i shtetit ligjor, integrimi i vendit është detyra e të gjithëve. Por për këtë duhet të bashkojmë votat, pasi askush nuk mund të bëjë tregti me integrimin e vendit. Tani është koha. Është urgjente. Nëse punojmë të gjithë bashkë, brenda shtatorit ne mund të bëjmë shumë punë të mira”, përfundoi kryetarja e ligjvënësve.

Topalli: Integrimi, opozita e ka për detyrë

Përveç thirrjes drejtuar kolegëve të opozitës në formën e ftesës për pjesëmarrjen e tyre në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim realizimin e reformave të vendit, Kryetarja e Kuvendit u kujtoi atyre edhe detyrimin për të bërë detyrën e tyre si të zgjedhurit e qytetarëve shqiptarë. “Askush nuk mund të akomodohet pa bërë detyrën. Nuk ka asnjë argument për të mos bërë detyrën. Vendi ka nevojë për mbështetjen e opozitës, për votën e opozitës, për 12 rekomandimet. Unë dëshiroj të jem optimiste”, tha Topalli në fund të deklaratës së saj për mediat. Kuvendi i Shqipërisë do të nisë punimet për këtë sesion të ri parlamentar në datën 5 shtator.

Opinioni i BE për plotësimin e 12 prioriteteve

Plotësimi i 12 prioriteteve të dala nga Opinioni i Komisionit Evropian, zbatimi i MSA-së midis Shqipërisë dhe BE, zhvillimet ekonomike në vend, do të jenë disa çështje kryesore mbi të cilat do të mbështetet opinioni i vendeve të Bashkimit Evropian e që do të paraqitet në dhjetor të këtij viti. Në mënyrë të veçantë, përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, në kuadër të objektivave të përcaktuara. Ndërkohë që në muajin korrik, në Bruksel u mbajt Këshilli i 3-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›