E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Tirana, mungesa e besimit dëmtoi procesin

02/09/2011  Kryetari i KQZ komenton raportin e OSBE/ODHIR për Shqipërinë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka komentuar dje për herë të parë raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e 8 majit. Kreu i institucionit më të lartë zgjedhor, sheh se ka progres nga raporti i parafundit, ai i 2009-s, ku zgjedhjet, thotë ai, vlerësohen për herë të parë kompetitive dhe transparente. Gjithsesi, kreu KQZ-së nuk ngurron të komentojë edhe atë pjesë të nënvizimit të ndërkombëtarëve për institucionin që ai drejton, ku vendimi për Tiranën, i marrë nga KQZ, konsiderohet i paqartë për bazën ligjore mbi të cilën u mor. Sipas tij, këtë krizë besimi e thelloi më shumë sjellja e politikës dhe mosbesimi mes palëve, sesa mënyra e vendimmarrjes. “Raporti konstaton se me vendimmarrjen për Tiranën KQZ thelloi mosbesimin për paanshmërinë e tij. Kuptohet që është një konstatim që nuk do të doja të ishte. Ishim në kushtet kur kemi pasur një mungesë besimi të palëve ndaj njëra-tjetrës dhe ndaj procesit në tërësi dhe u duk sikur zgjidhja që ne i dhamë procesit në Tiranë e thelloi edhe më tepër këtë mungesë besimi. Kjo, në fakt, është e dukshme sepse sigurisht njëra nga forcat politike garuese nuk e pranoi vendimin dhe reagoi ashtu siç reagoi. Por besoj që nga mënyra se si e kishin zënë brumin që në fillim partitë politike, nuk besoj se do të dilte një bukë më e mirë”, tha Ristani. Ndërsa nuk kanë munguar në tregun politik propozime dhe sugjerime se si mund të ndërtohet një KQZ e pakontestuar nga partitë politike, për kreun aktual të këtij institucioni nuk kanë shumë rëndësi formulat mbi të cilat formatohet ky institucion, duke lënë të kuptohet se me këtë përbërje të KQZ mund të shkohet dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Nuk është e keqja te formatimi i KQZ-së, por e keqja është te rekomandimi numër një i OSBE/ODIHR-it, te mungesa e vullnetit të mirë të partive politike”, theksoi Ristani. A mund të jenë më të besueshme për palët zgjedhjet, nëse administrohen nga ndërkombëtarët, një propozim ky i artikuluar nga PS së fundmi? Kryetari i KQZ nuk e sheh si zgjidhje, por zgjidhja sipas tij duhet të konsistojë tek vullneti politik mes palëve politike garuese në zgjedhje. “Unë nuk besoj që do të ndodhë, por në rast se do të ketë mungesë të vullnetit, do të anatemohen njëlloj sikur do të ishin dhe organet e vendit”, u shpreh Ristani. Për kryetarin e KQZ-së, ajo që raporti i OSBE/ ODHIR-it i jep si detyrë imediate politikës është reforma zgjedhore, por ai shton se vetëm një vullnet i mirë i saj për të bërë zgjedhje të mira, do të mund ti bënte vërtet të tilla.

Rekomandime

Palët duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet e gjera që ato gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve.

Reforma zgjedhore duhet të ndërmerret përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të rishikohet.

Partitë politike duhet të jenë të detyruara të respektojnë afatet në procesin zgjedhor, veçanërisht në emërimin dhe trajnimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore.

Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar për të trajtuar vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e votimit të gabuar, duke përfshirë edhe procedurat për fletët e tilla të votimit në tabelën e rezultateve, si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast të mospërputhjeve kur numri i votave të hedhura tejkalon numrin e nënshkrimeve në listën e zgjedhësve.

Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet në mënyrë që dispozitat për financimin publik të subjekteve zgjedhore të jenë përshtatur në mënyrë specifike për zgjedhjet lokale, si dhe parlamentare, dhe kështu që ato nuk do tu japin avantazh të padrejtë partive parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›