Në shkollat e Edi Ramës, gjimnazistët nuk marrin dije por bronkopneumoni
LRI protestë te gjimnazi “Petro Nini Luarasi” për mungesën e ngrohjes nëpër shkollat e Tiranës
Me parullat ironizuese “Edi, dua ngrohje”, “Çaj dhe Batanije”, “Kam ftohtë”, të rinjtë e forumit rinor të LSI kanë shpërndarë çaj të ngrohtë dhe batanije për gjimnazistët e gjimnazit më të njohur në kryeqytet si simbol kundër autoriteteve përgjegjëse dhe demagogjisë që kryebashkiaku i Tiranës Rama ka bërë shpesh në kurriz të nxënësve.
TIRANE - Lëvizja Rinore për Integrim ka zhvilluar dje paradite një protestë tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, për mungesën e ngrohjes në klasa. LRI kishte zgjedhur këtë shkollë të mesme, që mbahet si një ndër shkollat më të mira në Tiranë, kur dihet që shkollat e tjera janë në kushte edhe më të vështira, pa ngrohje, me xhama të thyer, me dyer të shkatërruara që nuk mbyllen mirë, si dhe me suvanë që janë duke rënë.
Të rinjtë e forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim shpërndanë çaj të ngrohtë dhe batanije për gjimnazistët e “Petro Ninit”, si simbol të protestës, kundër Bashkisë së Tiranës dhe titullarit të saj Edi Rama që nuk krijon dot kushtet më minimale për mësimin e nxënësve. Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruheshin parulla si, “Edi dua ngrohje”, “Çaj dhe Batanije”, apo “Kam ftohtë”, të rinjtë e LRI janë solidarizuar me të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës.
Në protestën e zhvilluar para gjimnazit “Petro Nini”, të rinjtë e LRI i kanë bërë thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama që të marrë masa urgjente në mënyrë që në gjimnazet e Tiranës të sigurohet ngrohja, duke theksuar se është e pamundur të merret dije në klasa që janë më të ftohta se sa qelitë e burgut.
“Jemi këtu para gjimnazit “Petro Nini”, për të cilin thonë se është një ndër gjimnazet më të mira në Tiranë. Në qoftë se mund të shkoni brenda dhe të inspektoni të gjitha klasat, do të shikoni që klasat ku zhvillojnë mësimin të rinjtë shqiptarë, të cilët janë të lirë, janë më të ftohta sesa qelitë e burgjeve shqiptare. Jemi këtu në shenjë solidariteti me këta gjimnazistë që po studiojnë në kushte shumë të vështira dhe në mënyrë simbolike u kemi shpërndarë nga një gotë çaj dhe nga një batanije, për ta ngrohur sadopak atmosferën brenda klasave, ku këta njerëz duhet të marrin dije dhe të mësojnë. I bëjmë thirrje zotit Edi Rama që të lërë demagogjinë lara-lara nëpër fshatrat e Shqipërisë, të vijë urgjentisht në Tiranë dhe të kujdeset që gjimnazet e Tiranës të kenë ngrohje, sepse sot të gjithë gjimnazistët e Tiranës nëpër klasat e tyre nuk marrin aspak dije, por marrin një bronkopneumoni të mundshme. E theksoj edhe një herë, këto klasa sot janë edhe më të ftohta se sa qelitë e burgut ku njerëzit vuajnë dënimet e tyre”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha.
Pavarësisht premtimeve të bujshme elektorale dhe inaugurimeve pompoze të disa shkollave të reja apo përfundimit të rikonstruksionit të një pjesë të tyre, rezulton se afro gjysma e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës nuk janë të pajisura më sistem ngrohjeje, çka ka vështirësuar jo pak procesin mësimdhënës në këto ditë të acarta janari.