E Diel, 1 Nëntor 2026

Me “Rock’n’Roll” në Kolumbi

Ekipi i shfaqjes “Rock’n’Roll”, një produksion ky i Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), do të niset të martën (sot) për të marrë pjesë në edicionin e 13’të të Festival Iberoamericano de Teatro de Bogota, në Kolumbi.

Festivali teatror në Bogota gëzon një renome botërore. Rrjedhimisht, përfaqësimi i TKK’së në këtë festival është tejet i rëndësishëm, jo vetëm për promovimin e kulturës dhe artit teatror të vendit, por edhe të vetë shtetit të Kosovës.

“Ky është edhe një rast tjetër i veçantë për paraqitjen dhe përfaqësimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në kuadër të një festivali ndërkombëtar me karakter garues. Kosova ka nevojë për një prani më të madhe të produksioneve të saj teatrore në festivalet dhe në ngjarjet e përmasave botërore”, thuhet në njoftimin e lëshuar të hënën nga TKK.

Ndryshe, gjatë kompletimit të procedurave të nevojshme për udhëtim në Kolumbi ekipi i TKK’së ka hasur në pengesa dhe probleme të mëdha, meqenëse asnjëri nga aktorët dhe punonjësit e tjerë të TKK nuk posedonin viza transit Schengen, pa të cilat nuk do të ishte i mundur udhëtimi me vijë të rregullt ajrore Prishtinë-Vjenë-Frankfurt-Paris–Bogota. Mirëpo, gjykuar nga kumtesa e fsë hënës e lëshuar nga menaxhmenti i TKK’së, ky problem duket se është tejkaluar me sukses.

“Veçanërisht, jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për reagimin e shpejtë të presidentes Jahjaga, pa ndihmën e së cilës udhëtim nuk do të kishte qenë i mundur”, nënvizoi drejtoresha e TKK, Burbuqe Berisha. Për ofrimin ndihmës, ajo falënderoi edhe zëvendësministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Petrit Selimin, dhe ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.

Autor i shfaqjes “Rock’n’Roll” është Tom Stoppard, dramaturge Zeljka Udovicic, ndërsa regjisor Dino Mustafic. Përzgjedhja, aranzhimi dhe adaptimi i muzikës është bërë nga kompozitori kosovar, Trimor Dhomi, koreograf i shfaqjes është Gjergj Prevazi, ndërkaq videon e ka bërë Yll Çitaku. Drama në shqip është përkthyer nga Fadil Bajraj. Në “Rock’nRoll” aktrojnë Kushtrim Hoxha, Mentor Zymberaj, Gresa Pallaska, Ilire Çelaj, Armend Ismajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Besnik Krapi, Fisnik Zeqiri, Rebeka Qena, Semira Latifi, Fisnik Sykaj, si dhe grupi kosovar Jericho.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›