E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse Siria nuk do të përjetojë fatin e Libisë?

Për dallim nga Gaddafi, Assadi ka forcuar kapacitetet e tij për sulme nga deti dhe ajri, që nga fillimi i kryengritjes kundër tij para një viti, theksoi organizata, SIPRI, e cila hulumtoi gjendjen e industrisë së mbrojtjes. Në raportin e vet për shitjen e armatimit në botë, SIPRI theksoi se Assadi ka shpenzuar miliarda dollarë për blerjen e sistemeve ruse, pjesa më e madhe e të cilave atij i janë dorëzuar gjatë vitit të kaluar. E vërteta është se po të ishte furnizuar Gaddafi me armatim, siç po bën tani Assadi, ai do të ishte dëshmuar si një rival më i vështirë për forcat e NATO-s.

Para një viti, më 19 mars 2011, udhëheqësit perëndimor, të alarmuar nga katastrofa në Libi, votuan në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të intervenuar ushtarakisht me të gjitha mjetet në dispozicion, duke argumentuar se nuk mund të qëndrojnë anash dhe të shikojnë masakrimin e civilëve. Si rezultat i rezolutës së OKB-së, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve, të kryesuar nga Britania, Franca dhe SHBA-ja dhe ndërmorën mbi 10 mijë fluturime mbi Libi, duke ndihmuar që për shtatë muaj të përmbyset diktatura e Muammar Gaddafit, i cili për 42 vjet me radhë kishte qëndruar në pushtet.

Pra, a mund të ndodhë kjo edhe në Siri? Me gjasë jo, nëse bazohemi në dy raporte të reja. Që të dy raportet sugjerojnë se fuqitë perëndimore do të përballeshin me sfida shumë më të mëdha, gjatë intervenimit kundër Baschar Al Assadit, si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht, se sa që janë përballur në Libi. Kështu së paku thotë organizata britanike Instituti për Mbrojtje dhe Studime të Sigurisë (RUSI), në raportin e lëshuar me rastin e njëvjetorit të rezolutës së OKB-së për Libinë.

Për dallim nga Gaddafi, Assadi ka forcuar kapacitetet e tij për sulme nga deti dhe ajri, që nga fillimi i kryengritjes kundër tij para një viti, theksoi organizata tjetër, Instituti Ndërkombëtarë i Stokholmit për Hulumtimin e Paqes (SIPRI), e cila hulumtoi gjendjen e industrisë së mbrojtjes. Në raportin e vet për shitjen e armatimit në botë, SIPRI theksoi se Assadi ka shpenzuar miliarda dollarë për blerjen e sistemeve ruse, pjesa më e madhe e të cilave atij i janë dorëzuar gjatë vitit të kaluar.

“Bëhet fjalë për një modernizim të madh. Çfarëdo diskutimi për sulme ajrore kundër Sirisë do të ishte më sfidues, se sa që ka qenë më parë”, theksoi Paul Holtom, hulumtues në SIPRI.

Vitin e kaluar, Rusia furnizoi Sirinë me 36 raketa kundër-ajrore Pantsyr-SI. Të lehta dhe mobile, këto raketa me rreze të shkurta veprimi mund të vendosën në kamionë, duke ju vështirësuar aeroplanëve luftarakë përpjekjet për t’i shkatërruar ato.

Krahas kësaj, SIPRI beson se Rusia së fundi ka furnizuar Sirinë edhe me aeroplanë luftarak të tipit MIG29. Përveç aeroplanëve, Rusia që nga viti 2007 në vazhdimësi ka furnizuar Damaskun edhe me tanke si dhe më sisteme më moderne kundër-ajrore.

E vërteta është se po të ishte furnizuar Gaddafi me armatim, siç po bën tani Assadi, ai do të ishte dëshmuar si një rival më i vështirë për forcat e NATO-s, thotë Holtom.

Gaddafi kishte porositur disa sisteme, të cilat atij nuk i ishin dorëzuar me kohë, në momentin kur shpërtheu kryengritja në Libi, në shkurt të vitit të kaluar.

“Ishin këto sistemet, të cilat Gaddafi nuk i kishte. Ka pasur diskutime për blerjen nga ana e tij të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore dhe të aeroplanëve nga Rusia, por ai kurrë nuk i bleu këto armë”, shpjegon Holtom.

Kjo u dëshmua si një gjë me fat për NATO-n, theksoi organizata RUSI. Organizata theksoi se fushata në Libi ishte shumë më e vështirë, se sa që e pranonin publikisht liderët perëndimorë atëbotë. Kur NATO filloi të bombardojë Libinë në mars të vitit të kaluar, Gaddafi u dëshmua si një kundërshtarë shumë më i ashpër, se sa që kishin llogaritur kryeministri i Britanisë, David Cameron dhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy.

Pasi që lufta në Libi filloi të zvarritët për muaj me radhë, edhe barra mbi forcat e NATO-s u shtua dukshëm. Dhe vërtetë, Cameron dhe Sarkozy me gjasë kanë qenë tejet të lehtësuar, kur kryengritësit e vranë Gaddafin më 20 tetor, duke i dhënë kështu fund fushatës së NATO-s.

Ajo që është ironike, lufta në Libi tani ja u ka vështirësuar përpjekjet udhëheqësve perëndimore që të sigurojnë mbështetjen e OKB-së për intervenim ushtarak kundër Assadit, edhe pse Siria sot duket në gjendje shumë më të rëndë, se sa që ishte Libia në mars: zyrtarët e OKB-së vlerësojnë se mbi 8 mijë persona janë vrarë gjatë një viti të kryengritjes në Siri, përfshirë këtu edhe shumë civilë, gjatë sulmeve të forcave të sigurisë kundër qyteteve Homs, Idlib dhe qendrave tjera të opozitës.

Kësaj radhe, Rusia, anëtare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, bëri të qartë se nuk do t’ia kthejë shpinën aleatit të vet shumëvjeçar. Siç dihet, rusët administrojnë edhe portin sirian të Tartusit. Zyrtarët rusë thonë se udhëheqësit perëndimor i kanë mashtruar ata vitin e kaluar, kur theksuan se sulmet kishin për qëllim mbrojtjen e civilëve, e jo përmbysjen e Gaddafit.

Por e vërteta është se Gaddafi dëmtoi vetën, gabim ky nga i cili duket se Assadi ka mësuar. Gjatë fjalimeve të tij të zjarrta në Tripoli, në shkurt dhe mars, Gaddafi pothuajse bëri thirrje që të sulmohet.

“Gaddafi nuk kishte miq dhe ishte i izoluar, gjë që nuk mund të thuhet për Assadin”, thuhet në raportin e RUSI-it. Dhe këta miq tani9 po qëndrojnë përkrah tij dhe ai ka edhe armë tjera në dorë.

(TIME)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›