E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 2 qershor do të vendoset se kur mund të hiqen vizat

13/04/2010 Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini lëshon mesazhe optimiste për heqjen e vizave

Qytetarët shqiptarë më datën 2 qershor do të mësojnë vendimin e Bashkimit Europian në lidhje me liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Ka qenë ministri italian i Punëve të Jashtme Franko Fratini që ka deklaruar dje pas takimit me homologun e tij shqiptar Ilir Meta se në samitin e Sarajevës, që do të zhvillohet në fillim të muajit qershor, do të jepet përgjigjja se kur mund t’i hiqen vizat. Në takimet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar ai është ndalur në mënyrë të veçantë në çështjen e vizave, e cila është tepër e rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Në këto takime ministri italian lëshoi mesazhe pozitive, duke u shprehur optimist për një vendim në favor të vendit tonë. “Objektivi ynë politik është përftimi i një mendimi pozitiv para fundit të majit. Faza e dytë kalon në shpalljen e vendimmarrjes, që do të realizohet më 2 qershor në samitin e ministrave të Jashtëm të BE-së. Këshilli i Ministrave të Jashtëm merr një vendim formal për të bërë të mundur që në vjeshtë lëvizja të jetë e lirë”, - ka deklaruar ai. Por në opinionin e shefit të diplomacisë italiane, ish-zëvendëspresident i Komisionit Europian, për t’ia arritur qëllimit duhet një vullnet i madh i KE-së dhe Italia është në vendin e parë në mbrojtje të këtij procesi. Zyrtari i lartë i qeverisë italiane është një ndër personalitetet e vendeve anëtare me peshë në vendimmarrjen e BE-së, që ka përkrahur dhe ka lobuar për heqjen e vizave për Shqipërinë. Me statusin e numrit dy të KE-së dhe komisioner për Çështjet e Sigurisë dhe Drejtësisë, në vizitën që zhvilloi në Shqipëri më 7 mars 2008 Fratini deklaroi zyrtarisht hapjen e dialogut politik mes BE-së dhe Shqipërisë për liberalizimin e regjimit të vizave. Duke u ndalur në proceset integruese, ai lëshoi mesazhe pozitive edhe ndaj vendimin për marrjen brenda këtij viti të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. “Italia do të përpiqet që statusi i vendit kandidat për në BE për Shqipërinë të merret parasysh brenda këtij viti. Unë mendoj se do kemi përpjekje të shumta nga qeveria shqiptare për të përmbushur kërkesat dhe besoj fuqishëm se këta hapa do të kryen më së miri”, - ka deklaruar ai. Por situata politike në Shqipëri nuk është ndër më të mirat. Kjo gjë duhet kapërcyer, për Fratinin. Duke u ndalur në zgjedhjet politike të 28 qershorit, ai nënvizoi se procesi elektoral është monitoruar nga OSBE–ODIHRI-i dhe raporti i tyre thotë se janë kryer zgjedhjet në respektim të ligjit. “Asnjë forcë politike shqiptare nuk mund të mos bashkëpunojë me qeverinë shqiptare për integrimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj”, - deklaroi ai.

Meta: Italia avokatja jonë për në BE

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka deklaruar dje se Italia është partneri kryesor ekonomik e tregtar i Shqipërisë dhe mbi të gjitha avokate e interesave të integrimit të saj europian. “Ministri Fratini është arkitekti i projektit të liberalizimit të vizave për shqiptarët. Pranvera është stina më e mirë për raportet e shkëlqyera mes dy vendeve”, - ka deklaruar Meta. Ai e ka vënë theksin në hapat shumë të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, duke përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e BE-së. Gjithashtu shefi i diplomacisë shqiptare ka thënë se opozita shqiptare duhet të shfaqë vullnetin për integrimin e vendit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›