E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhepistët “bezdisin” qytetarët në urban e në treg

13/04/2010 Policia nis kontrollet, shumica bashkëpunojnë me fatorinët dhe drejtuesit e urbanëve

DURRES- Numri i madh i vjedhjeve të xhepave të qytetarëve në urbanë e në tregje të populluara ka shtyrë policinë të rrisë kontrollet për të siguruar udhëtarët e blerësit. Në disa linja urbane janë vendosur agjentë të policisë, të cilët survejojnë personat e dyshimtë apo të tjerë të skeduar si hajdutë ordinerë të xhepave të qytetarëve. Linjat urbane janë më shumë të ekspozuara nga kjo kategori hajdutësh, të cilët shfrytëzojnë grumbullimin e qytetarëve në stacione. Këta të fundit humbin vëmendjen në kohën kur hipin apo zbresin dhe pikërisht raste të tilla shfrytëzohen nga xhepistët.

Linjat problematike

Linjat e Plazhit, Currilave dhe e Shkozetit janë edhe më të ndjeshme nga fenomeni i njohur, pasi janë edhe linjat me numrin më të madh të frekuentimit të urbanëve. Hajdutët marrin gjithçka që mund të sigurojnë nga “kontrolli” i shpejtë i xhepave e çantave për t’u larguar më pas duke zbritur në të parin stacion të linjës. Për të realizuar qëllimin personat që grabisin qytetarët përdorin edhe mjete prerëse si brisk për të grisur çantat apo edhe thikë me majtë të mprehtë. Vjedhja e xhepave mësohet nga qytetarët me disa kohë vonesë pikërisht në kohën që bëhen gati të paguajnë apo pasi zbresin nga urbani. Por ndodh që hajduti të kapet në momentet e kryerjes së veprimeve, ndërkohë që vitet e fundit është shfaqur dukshëm indiferentizmi i qytetarëve në reagimin ndaj një fenomeni të tillë. Edhe drejtuesit e autobusëve urbanë si dhe biletaprerësit bëjnë një sy qorr e një vesh të shurdhër duke marrë në jo pak raste qortime nga qytetarët për bashkëpunim me hajdutët. Ndonëse nuk ka pasur deri më sot asnjë rast kallëzimi ndaj bashkëpunëtorëve, në urbane dëgjon shpesh akuza të tilla. Drejtuesit e urbanëve në asnjë rast të zhurmave për vjedhje nuk kanë bllokuar dyert për të kërkuar më pas ndihmën e policisë. Kjo është justifikuar shpesh herë me shmangien e shoferëve dhe biletaprerësve nga ballafaqimi për rastet e vjedhjes së xhepave e çantave. Xhepistët përgjithësisht shkojnë në grup të vogël me dy apo tre të tillë. Ata e vendosin në mes qytetarin ose e shmangin nga pjesa tjetër duke i bërë edhe kontrollin fizik me ngadalë dhe pa u vënë re. Metoda të tilla u kanë dhënë efekt pasi kanë mundur të “zhveshin” çantat e portofolat e qytetarëve pa u ndjerë. Në rastin më të keq janë ata të parët që bërtasin për ta kapur hajdutin dhe zhurma i ndihmon t’ia arrijnë qëllimit për t’u larguar. Orari i rendjes për në punë në mëngjes, mesdita me nxënës shkolle dhe dreka e kthimit nga puna janë edhe oraret më të “bereqetshme” për hajdutët pasi autobusët urban janë tejet të mbushur me qytetarë. Me të njëjtat mënyrë kjo kategori problematike vjedhin edhe xhepat e çantat në treg. Jo rrallë herë në treg blerësit dhe tregtarët janë bërë dëshmitarë të ndjekje me vrap nëpër tezga të hajdutëve apo edhe të grindjeve e rrahjeve. Policia ka disa informacione për individë e grupe hajdutësh ordinerë. Sipas disa të dhënave policore, hajdutët e kësaj kategorie janë të moshës 14-25 vjeç dhe përgjithësisht persona të dënuar më parë apo të skeduar për veprime të paligjshme. Hajdutët e xhepave e çantave janë edhe konsumatorë të drogës, alkoolistë, endacakë, prishës të rendit e qetësisë publike. Jo rrallë pas fëmijëve apo adoleshentëve hajdutë qëndrojnë të rritur, të cilët i shoqërojnë duke u garantuar mbrojtje në rast grindje me qytetarët. Përgjithësisht xhepistët pikasin mirë personin që do e vjedhin. Femrat, moshat e thyera dhe pushues apo qytetarë që vinë nga rrethet janë më të ekspozuar nga vjedhjet. Për të ndëshkuar fenomenet policia ka vendosur agjentë civil në urbane, të cilët identifikojnë individët keqbërës. Numri i personave të vënë para përgjegjësisë penale për vjedhje të kësaj kategorie është shumë i vogël. Policia ka pranuar njohjen e fenomenit si shumë shqetësues në urbane e tregje të populluara, por ka bërë të ditur se nuk ka kallëzime nga qytetarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›