Më 20 janar, “galaktikët” do të qëndrojnë 10 orë në vendin tonë, ku do të luajnë me Gramozin
Reali i Madridit do të përfitojë 250 mijë euro për çdo orë që do të qëndrojë në tokën shqiptare më 20 janar. Në total, për miqësoren që do të luajnë me Gramozin (në fakt skuadra kolonjare do të përbëhet nga një përzierje e lojtarëve më të mirë të Kategorisë Superiore), “galaktikët” do të përfitojnë 2,5 milionë euro. Ashtu si ka ndodhur më parë me Milanin, edhe skuadra e ndërtuar me yje nga Florentino Perez do të qëndrojë në Tiranë vetëm 10 orë, ndërsa ardhja e tyre kulmohet me takimin e orës 18.00 në “Qemal Stafa”, e vlefshme për trofeun “Taçi Oil”.
Gazetat dhe agjensitë e lajmeve në gadishullin Iberik vazhdojnë të ngulmojnë se kjo është shifra që do të derdhet në arkat e klubit “merengue” për këtë miqësore, ndërsa organizatorët ende nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Nga zyrat e kompanisë së karburanteve është theksuar vetëm se marrëveshja është arritur dhe Florentino Perez ka hedhur firmën në kontratë, për të qenë prezent në Shqipëri, së bashku me lojtarët më të mirë të skuadrës. “Kontrata është firmosur dhe gjithçka është gati për ndeshjen e 20 janarit”, deklaroi zëdhënësi Milton Nushi, i cili dha siguri se Kristiano Ronaldo, Kaka, Kasiljas apo Raul do të zbresin në fushën e lojës. Ai shtoi: “Askush nuk do të mungojë. Skuadra do të udhëtojë e plotë drejt Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe presidentin e Realit, Florentino Perez”.
Ende mbeten për t’u përcaktuar çmimet e biletave për sportdashësit për ndeshjen e edicionit të tretë të trofeut “Taçi Oil”, i cili sjell për herë të parë në vendin tonë ekipin që ka fituar nëntë herë Champions League. Gjithsesi, është bërë e ditur se një vend në stadium do të kushtojë më pak se në të kaluarën, pavarësisht se fatura financiare është më e lartë në krahasim me dy takimet e mëparshme, të luajtura me Milanin. Në dy miqësore të zhvilluara në Tiranë, ku në tetor 2008 humbën 2-1 përballë Tiranës, ndërsa në maj 2009 fituan me penallti me Kombëtaren “B”, gjigantët e Serisë A përfituan afro 4 milionë euro. Ndeshja e Gramozit që mbyll klasifikimin në elitën e futbollit shqiptar me Realin, 31 herë kampion të Spanjës, ishte parashikuar të luhej më 21 dhjetor, por kalendari i ngjeshur i Realit dhe problemet me drejtësinë të manjatit Rezart Taçi, pas agresionit ndaj gazetarit Mero Baze kanë bërë që gjithçka të shtyhej.