Kuqezinjtë munden 1-2, shënon Andi Lila
Seleksioni i talenteve kuqezinj, i mbiquajtur Shqipëria “B”, humbi 2-1 përballjen miqësoren me Adanasporin, skuadrën e Kategorisë së Dytë turke (aktualisht renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit të kësaj kategorie).
Kjo përballje u zhvillua pasditen e djeshme në orën 15:00 në Belek të Antalias, ku të përzgjedhurit e trajnerit të kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, po zhvillojnë një fazë përgatitore që prej datës 3 janar dhe e cila do të zgjasë deri më 11 janar. Golin e vetëm të përfaqësueses së talenteve shqiptarë e ka realizuar mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila (në minutën e 66-të) me anë të një gjuajtje nga jashtë zonës.
Por ky gol shërbeu sa për statistikë, pasi Adanaspori udhëhoqi pjesën më të madhe të ndeshjes 2-0, e kontrolloi atë më pas për ta fituar me rezultatin 2-1. Sikurse bëhet e ditur zyrtarisht nga zyra shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit, trajneri i kombëtares, kroati Josip Kuzhe, e nisi takimin një 11-tshe të përbërë nga Moçka (Flamurtari) në portë, Lila (Tirana), Pisha (Dinamo), Shoshi (Apolonia) dhe Samina (Gramozi) në mbrojtje, Muça (Dinamo), Sefa (Tirana), Muzaka (Tirana) dhe Bakaj (Dinamo) në mesfushë, ndërsa në sulm ishte dyshja e talenteve, Vila (Lokomotiva Zagreb) dhe Bala (Vllaznia).
Pjesa e parë e lojës nuk ka qenë e mirë për Kombëtaren tonë “B”, të cilës i mungoi loja e organizuar dhe pse krijoji disa raste në portën kundërshtare. Gjithsesi, fati u buzëqeshi kundërshtarëve turq të Adanasporit, në këtë fraksion të parë të ndeshjes mundën të gjejnë golin e avantazhit 1-0. Me fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes, skuadra turke shënoi shumë shpejt edhe golin e dytë. Më pas tekniku i kuqezinjve, Kuzhe, bëri disa ndërrime për të rifreskuar ekipin me shpresën për të ndryshuar edhe rrjedhën e takimit. Në fushë zbriti portieri Sulejman Hoxha (Apolonia) për të zënë vendin e Moçkës.
Por ashtu mes ndërrimeve ishte edhe hedhja në fushën e lojës e mbrojtësve Ditmar Bici (Tirana) e Olsi Gocaj (Kastrioti), mesfushorëve Emiljano Veliaj (Laçi), Sabien Lilaj (Tirana), por edhe të sulmuesve Sokol Cikalleshi (Besa), Odise Roshi (Flamurtari) dhe Vasil Shkurtajt (Olimpiakos i Pireut). Duhet përmendur që Emiliano Vila ka dalë nga fusha e lojës i dëmtuar në kavilje dhe sipas stafit mjekësor pritet të mos luajë në miqësoren e së shtunës. I dëmtuar ka dalë edhe mbrojtësi Maringlen Shoshi, edhe në këtë rast lëndimi nuk ka qenë serioz.
Por as ndërrimet e trajnerit kroat nuk sollën ndonjë ndryshim të madh në lojë. Adanaspori gjeti edhe golin 2-0. Shqipëria “B” krijoi disa raste për shënim me Balën, Roshin, Cilalleshi e Veliaj, por asnjëri prej tyre nuk u tregua i saktë përballë portës të Adanasporit. Goli i vetëm shqiptar i kësaj ndeshjeje mban firmën e mbrojtësit Andi Lila në minutën e 66’, pas një goditjeje nga jashtë zonës. Ndeshja miqësore e radhës e Kombëtares (B) do të zhvillohet, më 9 janar, ndërkohë që skuadra do të vazhdojë grumbullimin sipas programit me dy seanca stërvitore.