Festat rrisin çmimet

Sikurse edhe vitet e kaluara, tregtarët kosovarë mezi i kanë pritur festat e fundvitit për t’i ngritur çmimet. Sipas ESK-së kjo ngritje ka shkuar deri në 3 për qind. Komuniteti i biznesit kërkon nga tregtarët kujdes në çmime.
Tregtarët nuk i kanë kursyer fare kosovarët për festat e fundvitit, duke i rritur kështu çmimet e artikujve ushqimorë. Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, çmimet konsumit janë rritur nga muaji nëntor dhe kanë arritur deri në 3 për qind.
Rritja e çmimeve është vërejtur sidomos të frutat dhe perimet. Kështu, përveç mandarinave, që u ka hipur çmimi 1 euro, shihet se edhe gështenjat kanë pësuar rritje në çmim, i cili gati është dyfishuar për dallim me një javë më parë. Çmimi i tyre ishte 1 euro, ndërsa tani arrin deri në 1.60 euro. Gjithashtu një rritje e lehtë në çmim kanë shënuar edhe mollët, prej 30-40 cent sa ishte më parë çmimi i tyre, tani ka arritur në 50 cent.
Ndonëse tregtarët nuk e pranojnë se çmimet kanë ndryshuar, për qytetarët ky fakt mbetët mjaft shqetësues. Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë nuk e shohin shumë të arsyeshme ngritjen e çmimeve, por as nuk kritikojnë tregtarët. Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se nuk mund të ketë përcaktime për tregtarët lidhur me limitin deri ku ata mund t'i rrisin çmimet, porse është e domosdoshme që të merret parasysh kostoja reale e mbijetesës së qytetarëve.
“Rritja e paarsyeshme e çmimeve të produkteve shkaku i festës së fundvitit është politikë e gabueshme”, tha Rukiqi.
Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini thotë se, tregtarët duhet të kenë kujdes, pasi që, sa do e vogël që të jetë ngritja e çmimeve, ajo ndikon të konsumatorët e varfër.
“80 për qind e konsumatorëve në Kosovë janë të varfër. Prandaj edhe pse nuk është ndonjë rritje alarmante për të cilën duhet të shqetësohemi, tregtarët duhet të kenë kujdes”, ka thënë Shahini.
Megjithatë, Shahini bëri me dije rritja e çmimeve nuk varet vetëm nga tregtarët, por edhe nga importuesit, pasi Kosova ka mungesë të prodhuesve vendor.
“Me vet faktin që Kosova varet 90 për qind nga importi dhe se ka mungesë të prodhuesve vendor, me rritjen e çmimeve në vendet importuese ato rriten patjetër edhe të ne", tha ai.
Sipas Entit të Statistikave të Kosovës ngritje e çmimeve është vërejtur nga muaji nëntor. Në total rritja ka shkuar deri në 3 për qind. Të perimet rritja e çmimeve ka arritur deri në 6.8 për qind, të qumështi dhe vezët çmimi është ngritur për 1.4 për qind, dhe të sheqeri e ëmbëlsirat vërehet një ngritje prej 11.8 për qind në çmim. (Ekonomisti)