Më 25 prill dridh Prishtinën
Busta Rhymes do ta vizitojë Prishtinën katër ditë më herët sesa e kishte planifikuar koncertin e tij. Këtë e ka thënë njëri prej organizatorëve, Drin Zatriqi, i cili ka thënë për Express se konfirmimi është bërë nga vetë reperi.
Në një video që është postuar edhe në profilin e Zatriqit në Facebook thuhet se Busta Rhymes do të vijë të këndojë në Prishtinë më 25 prill.
“Edhe pse e kemi ditë datën e saktë qe dy ditë, nuk kemi dashur ta publikojmë, përderisa ta marrim edhe vetë videon në të cilën vetë ai flet për ardhjen e tij më 25 prill”, ka theksuar Zatriqi.
E tërë saga e ardhjes apo mosardhjes së reperit kishte filluar kur ishte thënë se reperi do t’i anulonte koncertet nëpër Evropë pa asnjë arsye. Ndërkaq, më vonë, organizatorët e koncerteve nëpër vende të ndryshme kishin bërë presion dhe kishin arritur marrëveshje me organizatorët.
“Ne kemi arritur që të mbahet koncerti më 29 prill”, kishte thënë Zatriqi disa ditë me herët, përderisa e kishte konsideruar dramë ardhjen e reperit në Prishtinë.
“Busta Rhymes njëherë tha se nuk do të vijë. Më pas tha se do të vijë. Busta Rhymes i ka anuluar shumicën e koncerteve, Prishtinën asnjëherë! Ai po vjen më 25 prill, katër ditë më herët… edhe më mirë”, kishte shkruar ndërkaq Zatriqi, të dielën, në Facebook.
“Ne nuk kemi guxuar që të çelemi shumë për media në lidhje me këtë, edhe pse e kemi ditë disa ditë më parë”.
Koncerti i Busta Rhymes pritet të mbahet në sallën “1 Tetori” dhe organizatorët e kanë parashikuar si njërin prej koncerteve më të mëdha që do të mbahet gjatë këtij viti në kryeqytet.
Sponsor medial i koncertit është edhe Gazeta Express, kurse sponsor gjeneral i koncertit - kush tjetër përpos kompanisë IPKO. Në koncert pritet që të marrin pjesë edhe disa rep-grupe dhe këngëtarë kosovarë, në mesin e tyre Tuna, Kaos, Dafina Zeqiri etj. Koncerti organizohet nga Full House dhe NextLevel.
“Look At me Now” hit i muajit prill
Nga ana tjetër, kënga e Chris Brown, “Look At Me Now”, në të cilën këndon edhe Busta Rhymes, ka vazhduar që të jetë hit nëpër top-listat amerikane dhe evropiane edhe për këtë muaj. Billoboard e ka ranguar lart këngën, e cila shihet edhe si një rikthim i Busta’s në skenë, pas një mungese të gjatë. Nga mediat amerikane mësohet se kjo kishte qenë një arsye e anulimit të koncerteve të tij në Evropë.