E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Bosnjën në zemër

Në një kolumne të shkruar për gazetën amerikane ‘The Huffington Post’, filozofi dhe shkrimtari i njohur francez, Bernard-Henri Levy, prek filmin e Angelina Jolie “In the Land of Blood and Honey”.

Bernard-Henri Levy konkludon se askush nuk kishte pritur që njëra nga aktoret më të njohura hollivudiane do të debutonte si regjisore me një rrëfim të vendosur brenda periudhës më të errët të shekullit të 20’të, me aktorë të panjohur boshnjakë, dhe me një gjuhë të panjohur për amerikanët dhe evropianët.

"Por, rezultat është filmi që, para së gjithash, është skajshmërisht i vërtetë. Unë i njoh vendet që ajo i prezanton. Në jetën reale kamë parë burra e gra që ngjajnë me Daniela’n dhe me Ajla’n, me Romeon dhe me Xhulietën, dhe me rrëfimin e dashurisë të vendosur në prapavijën e kampeve të përqendrimit përplot tmerr.

Njëkohësisht, edhe dhunimet si armë të luftës, edhe nënçmimin e njerëzve nëpërmjet dhunimit të trupave të grave të tyre, por edhe vetë spastrimin etnik, unë i kam shfrytëzuar jo si dekor por si temë të një filmi që e kam xhiruar në Bosnje. Bëhet fjalë për në dokumentar të vitit 1994. Edhe ky realizim është i bazuar në këto tragjedi, dhe ai, gati 20 vjet më vonë, paraqet njëlloj rikonstruimi në studiot filmike hungareze. Skenari, skenat dhe emërtimi i filmit janë skajshmërisht të vërteta, dhe ato e pasqyrojnë në mënyrë autentike dhunën e errët të cilën, fatkeqësisht, unë mund ta konfirmoj”, thekson Levy.

Tutje, filozofi që njihet si njëri ndër intelektualët e parë francez që bëri thirrje publike për një intervenim ushtarak ndërkombëtar kundër forcave serbe në Bosnje e Hercegovinë, nënvizon edhe atë se filmi “In the Land of Blood and Honey” është një shfaqje tejet e suksesshme dhe tronditëse e ngjarjeve të vërteta që ndodhën në kohën e agresionit në Bosnje e Hercegovinë.

"Në kohën kur po zhvillohej lufta Angelina ishte një adoleshente. Për të dinte vetëm në bazë të tregimeve të paqarta të sojit ‘të thash e më the’. Asokohe disa më të moshuar (Peter Schneider dhe Hans Christoph Buch, në Gjermani; Salman Rushdie, në Angli; Christopher Hitchens dhe Susan Sontag, në SHBA; si dhe autori i këtyre rreshtave dhe disa të tjerë në Francë) kishin frikë se Sarajeva do të rrezikonte Evropën, duke i ofruar asaj një luftë të re civile spanjolle të shekullit 21, e cila nuk ishte fare më e tmerrshme se origjinali, ndërkohë që aktorja ende po ëndërronte për rolet në ‘Glass Shadow’ dhe në ‘Hackers’.

Mirëpo, ja që ajo tani e ka marrë këtë rol, ka ndezur flakadanin dhe ka vazhduar që me stilin e betejës, e jo me përmbajtje, ta përjetojë atë që ne e përjetuam dikur, dhe ka realizuar një mrekulli, duke i shndërruar kujtimet tona në histori. E, kur kjo të ndodhë, atëherë bëhet një gjë e fuqishme", pohon Levy në kolumnen e tij.

Sipas tij, filmi "In the Land of Blood and Honey” është paska i angazhuar politikisht.

"Filmi nuk heziton të luftojë dhe rrezikon kur ka nevojë për këtë gjë, madje edhe atëherë kur kretenët e akuzojnë për manikenizëm, për shkak se ky është një film që gjërat i emërton ashtu si duhet”, pohon Levy, dhe vazhdon:

"Kur filmi u shfaq në Sarajevë, vetëm një natë para se të shfaqej në Paris, publiku e përcolli me lot në sy, por edhe me admirim. Normalisht. Paramendoni një grua të dhunuar që ka heshtur gjatë 20 viteve të kaluara, ose fëmijët e të dhunuarave që tashmë janë rritur, e të cilët lindjen e tyre e bartin si një barrë turpi.

Paramendoni një shoqëri të tillë boshnjake, e cila vazhdon të bëjë sehir mbi fshehtësinë e saj më të errët. Dhe, përnjëherë, del një aktore dhe zonjë, e cila e shfrytëzoi prestigjin e saj për t’iu mundësuar atyre që t’i ngrisin lartë kokat e tyre të ulura. Para 40 viteve isha dëshmitar i një situate të ngjashme në Bangladesh, kur presidenti mysliman, Mujibur Rahman, vendosi guximshëm që të shpallte si heroina të kombit disa dhjetra mijëra gra të dhunuar, të cilat ishin lëçitur edhe nga vetë familjet e tyre. Ky është një gjest mutatis mutandis edhe i Angelina Jolie. Dhe kjo është pikërisht ajo që përbënë gjithë madhështinë e errët të filmit të saj”.

E vërteta e dhimbshme

Debutimi regjisorial i aktores Angelina Jolie, me filmin “In the Land of Blood and Honey” ka shkaktuar zemërim tek serbët. Ata e kanë kritikuar ashpër filmin, duke pretenduar se e portretizon negativisht gjithë popullatën serbe.

Filmi në fakt është një rrëfim dashurie, i vendosur gjatë luftës në Bosnje, gjegjësisht në kohën e dëbimit me dhunë të popullatës joserbe përmes spastrimit etnik. Ai përshkruan një romancë të para luftës mes një artisteje myslimane dhe një polici serb, e cila pastaj ndërthuret me konfliktin etnik në rritje.

Përderisa ka njerëz që e kanë mirëpritur filmin e Jolie, duke pohuar se më në fund është pasqaruar ‘rrëfimi i vërtetë boshnjak’, serbët e kanë sulmuar atë, madje e kanë kërcënuar edhe vetë regjisoren Jolie.

Edhe pse serbët thonë se nuk e mohojnë faktin që ka pasur krime, ato janë kryer nga ana e individëve e jo nga i gjithë populli serb, dhe pikërisht këtë gjë Angelina Jolie ka dështuar ta portretizojë në filmin e saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›