E Diel, 1 Nëntor 2026

Me Ferdinand Xhaferrajn, Durrësit i mundësohet shndërrimi në një metropol turistik

13-04-2011 / Gazeta 55

Lëvizja Socialistë për Integrim çel fushatën elektorale në qytetin më të madh bregdetar. Ilir Meta: “Kandidatët tanë po u japin leksion njerëzve të Aleancës së Betonit”. Lefter Koka: “Qeverisja e Vangjush Dakos në Durrës, përfundimisht cilësohet si e dështuar”


Lëvizja Socialistë për Integrim çeli dje në mbrëmje fushatën e saj elektorale në Durrës, dukë kërkuar nga anëtarët dhe simpatizantët e saj të votojnë për alternativën e paraqitur së bashku me Partinë Demokratike në kuadër të koalicionit qeverisës “Aleanca për qytetarin”. Në tubimin madhështor, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shoqërohej nga deputeti Lefter Koka dhe Prefekti Genci Alizoti, Ilir Meta prezantoi kandidatin e  koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Ferdinand Xhaferraj.  Duke falënderuar pjesëmarrësit, Meta shprehu bindjen se, “Durrësi që meriton më shumë do të fillojë një ndryshim të vërtetë. Ku jam i bindur, se fitorja në Bashkinë e Durrësit do të jetë e papërmbajtshme, sepse Durrësi ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar më shpejt, sepse Durrësi ka ende probleme të rëndësishme sociale që duhen zgjidhur dhe që kërkojnë një kryetar bashkie që të vërë të parët qytetarët dhe jo sherret politike. Rezultatin më të dëshpëruar aleanca e betonit do ta përjetojë në Durrës, sepse Durrësi ka nevojë për një kryetar që të bashkëqeverisë me të gjithë qytetarët e tij dhe jo për një kryetar, që pa vetëm punët e tij gjatë këtij mandati”. Më tej Meta vuri në dukje se përballë alternativës së fyerjeve e sharjeve të opozitës, mazhoranca përballet me alternativën e që bashkon Shqipërinë me Europën. “Ne po japim mbështetje të plotë për një bashki larg sherreve politike, shtoi më pas Meta, sipas të cilit kandidatët e ‘Aleancës për qytetarin’ do t’i japin mësimin më të mirë ‘Aleancës së betonit’”, siç e quajti ai koalicionin opozitar. Kreu i LSI-së i bëri thirrje të pranishëmve në miting, por edhe zgjedhësve të Durrësit, që në 8 maj të votojnë Ferdinand Xhaferrajn për kryetar të bashkisë së këtij qyteti. “Jam i bindur, se në 8 maj, duke votuar për aleancën për qytetarin prandaj duke votuar për Ferdinand Xhaferraj në 8 maj dhe për LSI ju votoni për një projekt i cili vë të parin qytetarin e Durrësit. Ju votoni për një projekt i cili merret seriozisht me problemet e qytetarëve, me problemin e punësimit, ndaj është për tu përshëndetur vizioni i kandidatëve të aleancës për qytetarin për t’u angazhuar si kryebashkiak të rinj të Tiranës si Lulzim Basha apo të Durrësit si Ferdinand Xhaferraj, si Durim Hushi në Elbasan, Luan Topçiu në Pogradec, Viktor Tusha në Lezhë, për të angazhuar Bashkinë dhe të gjithë resurset e saj në bashkëpunim me sipërmarrjen vendase apo të huaj, në bashkëpunim me qeverinë për të luftuar papunësinë, për të hapur vende të reja pune në dobi të mirëqenies së komunitetit. Ndaj jam i bindur se më 8 maj, ky vizion i ri, kjo vëmendje ndaj këtyre problemeve të rëndësishme sociale do të votohen në mënyrën më bindëse”, përfundoi Meta. Deputeti Lefter Koka duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” tha se Durrësi më 8 maj do të votojë larg pasioneve politike. Ai e konsideroi të dështuar qeverisjen vendore të kryebashkiakut aktual Vangjush Dako, i cili sipas Kokës, përveç detyrimit ligjor ka harruar edhe detyrimin moral që ka marrë ndaj qytetarëve durrsakë kur u zgjodh në vitin 2007. Kandidati i “Aleancës për qytetarin” Ferdinand Xhaferraj vlerësoi qeverisjen e përbashkët të Partisë Demokratike dhe LSI gjatë këtij mandati. “Përballë një kundërshtari politik që e ka mbështetur fushatën e tij te fyerja dhe shpifja, forcat tona politike të bashkuara në koalicionin “Aleanca për qytetarin” do të tregojnë se jemi alternativa më e mirë në të gjitha komunat dhe bashkitë-nënvizoi Xhaferraj, i cili falënderoi LSI për mbështetjen që po i jep projektit “Durrësi meriton më shumë”. Dje pasdite drejtuesit e LSI prezantuan në komunën Gjepalaj kandidatin e kësaj force politike dhe të “Aleancës për qytetarin”, Ardian Kokomani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›