“Me Inteligjencën Artificiale do jetë mrekulli”, Rama: Ka ardhur koha që shteti të financojë në kompani dhe të ketë përfitime

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj , ishin të pranishëm në një prej kompanive në vend që operojnë në fushën e teknologjisë .
Kryeministri Edi Rama gjatë bisedës me drejtuesit e kompanisë, foli edhe për Inteligjencën Artificiale, që sipas tij është një mrekulli dhe ka ardhur koha që shteti të financojë projekte të veçanta.
“Ka ardhur koha që ne të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet dhe të financojë dhe të përfitojë. Sikurse e bëjnë dhe shtetet e tjera për të përfituar nga IA.” tha Rama.
Më tej Rama u ndal dhe tek kontributi që ka dhënë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së nga Mira Murati, e cila drejton një kompani në fushën e IA në SHBA.
“ U lidhëm me Mira Muratin në telefon. Nga Vlora ajo. I thashë do na ndihmosh të futemi në BE. Mesa kuptoj i thashë mund të na ndihmosh të futemi në BE. Pjesa që s’ke nga ikën fare me BE, është merr 250 mijë faqe këtej dhe silli këtej. Dhe gjithë vendet bëjnë një ushtrim me përkthyesi, juristë. I thashë bëhet kështu. Më duket tha që është e bëshme. I thashë prokurimet. Ça ndodh me prokurimet? Ndodh korrupsioni, jepen termat e referencës. 90% ça kërkohet të hysh në tender është publik. Të gjitha këto me IA i thith nga brenda. Çfarë mbetet tek ty? Të shprehesh interesin dhe të bësh ofertën e çmimit. Është mrekulli. Kemi filluar me këtë. Një gjë që kam 12 vjet që përpiqem, kemi bërë shumë ligje. Tani kemi bërë një sistem, për të gërmuar brenda dhe për të nxjerrë gjithë overlap-in. I thua ligjvënësve hiq këto se nuk duhen. Ka momente që del pengesë një ligj i 52-shit. Me këtë IA do jetë mrekulli. Unë e di që do vijë momenti që IA do ketë parlamentin. Është i frikshëm, por nuk është i kontrollueshëm. Ti thua që nuk vazhdoj në këtë rrugë, por është komshiu që vazhdon, ça do bëj unë do lej komshiun.” –tha Rama.
Nga ana e saj, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe informacionit janë rritur me gati 20 herë, ndërsa eksportet e shërbimeve në këtë fushë me gati 30 herë.
Sipas saj, RITECH është një kompani model e zhvillimit të teknologjisë së informacionit, ku punohet për Amerikën dhe Europën, me 300 të punësuar në Shqipëri dhe 650 në Kosovë e Maqedoni.
“Besoj se është një nga shembujt konkretë se si është zhvilluar teknologjia e informacionit në vend. Nëse ne do të vinim në një kompani të tillë 10 vite më parë, do të shikonin të rinj e të reja, në një call center, me nga një palë kufje, duke bërë thjeshtë telemarketim dhe do të kishin pagë mesatare rreth 300 euro”, tha ajo.
/rtsh.al/