E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me PSG-në, në majat e futbollit

Kosovare Asllani e pranoi ofertën e Paris Saint Germainit pasi i besoi projektit të klubit francez, i cili synon të arrijë në majë të futbollit botëror. Futbollistja kosovare nënshkroi kontratë dyvjeçare dhe pret shumë në ekipin e ri.

“Trajneri ma ka bërë të qartë se PSG synon të jetë ekipi më i mirë në botë dhe unë dua të jem pjesë e tij”, ka thënë përfaqësuesja suedeze për të përditshmen Sportbladet.

Tashmë ish futbollistja e Kristianstadit thotë se ka kërkuar informata për kampionatin francez dhe për ekipin në të cilin u transferua, prandaj e pa të udhës ta pranonte këtë ofertë pasi e bindën edhe të tjerët.

“Kam biseduar me disa njerëz, me të cilët jam konsultuar. Pastaj më ka kontaktuar trajneri Farid Benstiti, i cili më thoshte se duhet të vija në Paris pasi që më donte këtu. Dhe, unë veprova kështu”, shtoi ajo.

Përmes PSG-së, ajo synon që ta fitojë një vend të sigurt në përfaqësuesen suedeze për Evropianin e vitit tjetër, që do të mbahet pikërisht në Suedi.

“Përfaqësuesja është prioritet i vërtetë për mua. Kam menduar mirë para se të vija këtu. Mendoj se do të jetë një sfidë e bukur për mua, unë jam optimiste se mund t’ia dal”, vazhdoi Asllani, që për një kohë kishte luajtur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mesfushorja ofanziv e ka rastin ta takojë sulmuesin e PSG-së, Zlatan Ibrahimovic në fundjavë, kur ajo me shoqe do të luajnë ndaj Bastias. Për Kosovaren kjo do të jetë kënaqësi, pasi që i pëlqen se si luan sulmuesi i njohur suedez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›