E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Çfarë fsheh gjysma e hënës e Xhevat Hanës

Redaksionale

Një ish-hetues i diktaturës komuniste, me mbiemër satelitor në versionin dialektor, i paraqitur prej disa vitesh si prokuror, i njohur për “trimërinë” e tij në procese të tilla si ai i Zani Çaushit, ka ndërmarrë këto muajt e fundit disa veprime që të bëjnë të dyshosh në ndershmërinë e tyre profesionale.
Sado të jesh qytetar i këtij vendi, sensibilitetet që vijnë si shqetësim i cenimit të interesave kombëtare, nuk mund të neglizhohen apo të shpërfillen edhe kur sillen gjoja si të kryera në emër të zbatimit “të drejtësisë”.
Pse e mbron PS-ja?/Nëpër vende ku përhapen opinione pyetet vazhdimisht nëse është e vërtetë apo jo që për të hapur një çështje kur ajo nuk ekziston shkohet deri te shuma të tilla si 1 milion eurosh. Sigurisht që nuk mund t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje që nuk bëhet nga ne. Çdokush mund ta ketë marrë me mend se fjala është për prokurorin Xhevat Hana, i shpallur i mbrojtur tashmë si beniamin i Partisë Socialiste, në konferencën e shtypit të nënkryetarit të grupit kuvendor socialist, Erion Braçe. Kjo sepse më 28 janar 2008 Xhevat Hana u dekretuar prokuror te Krimet e Rënda. Pavarësisht se ky transferim ishte bërë konform të gjitha procedurave ligjore, ngutja e PS-së për të avokatuar Hanën ishte zbulimi më i qartë i prapavijës politike që mbështeste prokurorin në fjalë. Por Hana si dukej nuk mund të rrinte pa ngritur një çështje tjetër që pavarësisht nga subjekti i ndryshëm kishte qëllimin e njëjtë.
Nuk është më koha e faturave të dyqaneve të Sarandës/Xhevat Hana një hetues i lindur në Rrajcë të Librazhdit, i lëvizur në cepin tjetër të atdheut jo për të veruar, por të qenë shpata e diktaturës në Sarandë në vitet 80-të. Kontributor në mbrojtjen e ekonomisë socialiste ku merrej me fatura dyqanesh, të cilat derivonin në “krimin” e agjitacionit e propagandës, Xhevat Hana ngeli po në lartësinë e hetuesit të diktaturës pa u bërë kurrë prokuror i një sistemi demokratik. Grupi i hetuesve që u modifikuan e përshtatën prokurorë tamam si ato oficerët e Zall-Herrit apo sigurimsat e Saukut, nuk dilnin dot nga profili i tyre i skalitur politik ku i kishte mëkuar partia ku ishin kalitur. Pikërisht për këtë shkak më 22 shtator 1998 në “Zëri i Popullit” botohej deklarata e “grupit të prokurorëve”, në të cilën lideri i atëhershëm i opozitës cilësohej “kryeterrorist”. Emrat e hartuesve të kësaj deklarate përfliteshin në ato kohë dendur nëpër Tiranë.
Por pa dashur të merremi sot me çështjet e Xhevat Hanës, mjafton t’i kujtojmë prokurorit të procesit të Zani Çaushit dhe ta pyesim pse u lirua më 22 mars 1999 në sallën e gjyqit, njëri prej personave më të përfolur të krimit në Shqipëri. Pas lirimit, i dukur para kamerave me tuta sportive Zani bënte lektorin e tregimtarin për ngjarjet e 1997-s, sesi e kishte rrëzuar PD-në nga pushteti, etj. Por, vetëm pas 3 muajsh Zani ishte protagonist në një ngjarje ku u vranë 3 persona. Pas 5 muajsh ai arrestohet sërish për rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke treguar më së miri falsitetin e lirimit të parë.
Për të parë më shumë karakterin e Xhevat Hanës dhe ndriçimin e yllit të tij, përsëri duhet pyetur: Pse e shkarkoi ish-presidenti Rexhep Meidani më 2002-n. A ka pasur ai probleme të këtij lloji edhe kur u emërua këshilltar i ish-presidentit Alfred Moisiu?
Dy çështjet më të përfolura së fundi lidhen me emrin e akuzatorit Xhevat Hana. Duhet që rruga Durrës-Morinë është humbja më e madhe e Serbisë përballë Shqipërisë dhe lidhja më e fuqishme midis Kosovës dhe Shqipërisë gjatë gjithë historisë sonë. Pengesat penale që iu sollën ndërtimit të kësaj rruge, dhe zhurma rreth saj kujt i shërbente më shumë?
Një çështje tjetër është ajo e një personi që mëtohet se është zhdukur në vitin 1995. Hetimi i parë i ndërmarrë ndaj disa ish-punonjësve të SHIK-ut, rezultoi pa asnjë provë. E megjithatë Hana këmbënguli në të vetën.
Kujt i shërbejnë këto çështje dhe përbaltja e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar pikërisht në sektorët më të rëndësishëm të tyre. A përputhen këto me interesat e Serbisë dhe politikën e saj sidomos tani pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur?
Nëse ky vend do të kishte prokurorë të vërtetë, pikësëpari të edukuar me ndjenjën kombëtare, vrasja e Ahmet Krasniqit do të kishte një emër tashmë. Vrasja e ministrit e Mbrojtjes së Kosovës, disa ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, është një çështje që për fat të keq kurrë nuk ka marrë përgjigjen nga organi i prokurorisë.
Por me hetuesit e diktaturës, me ata që kanë qenë shpata e ushtrimit të diktaturës që dënohet edhe në parlamentin evropian, është e vështirë të gjendjet çelësi i drejtësisë.
Ish-hetuesi Hana tashmë është një gjysmë hënë, një objekt ku duket gjysma dhe fshihet tjetra. A thua vetëm mbiemri i Xhevatit asht hanë, i vërtitun rreth dikujt?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›