Pa gjasa

Humbja e thellë që e pësoi të mërkurën mbrëma në Beograd nga Partizani me rezultat 4:0, e ka pikëlluar tej mase Shkëndijën. Kjo disfatë thuajse ua ka humbur të gjitha gjasat tetovarëve për t’u kualifikuar në rrethin e tretë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve, edhe pse ndeshjen e kthimit ndaj serbeve kampioni maqedonas do ta zhvillojë mesjavën e ardhshme në Shkup.
Andaj, Beogradi me gjasë do të mbetet përherë në kujtesën e kuqezinjve, sepse përveç që humbën me rezultat të thellë, ata u fyen rëndë edhe nga tifozët serbë ‘Grobari’, rreth 18 mijë prej të cilëve këndonin këngë fyese për shqiptarët gjatë gjithë asaj ndeshjeje.
Ato sjellje të tifozëve serbë i kishin shqetësuar tetovarët. Kështu ka deklaruar trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani. “Skuadra ime ishte e shqetësuar nga këngët fyese që vinin nga tribunat. Futbolli është sport dhe një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në stadium”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, futbollisti i Shkëndijës, Ilir Elmazovski, fyerjeve të tifozëve serbë iu kishte kundërpërgjigjur duke ua treguar atyre gishtin e mesëm, me ç’rast ishin revoltuar disa futbollistë serbë në bankinë, por megjithatë situata nuk ka eskaluar, shkruan ueb faqja serbe alo.rs.
Megjithatë, trajneri shqiptar e ka pranuar se djelmoshat e tij nuk luajtën mirë ndaj beogradasve, të cilët dominuan gjatë gjithë asaj ndeshjeje. Osmani e ka uruar kundërshtarin për fitoren e shënuar. Në fakt, Shkëndija gjatë atij takimi nuk e krijoi asnjë shans të mirë, përveç një penalltie të cilën e humbi në minutën e 12-të Ferhan Hasani, gjuajtjen e të cilit e ndali portieri Vladimir Stojkoviç.
“Penalltia e pashfrytëzuar ka ndikuar në rezultatin final. Në pjesën e parë e gjetëm mënyrën për t’i bërë ballë Partizanit, por në pjesën e dytë nuk luajtëm mirë”, ka thënë ai.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet pas një jave në Shkup, por vetëm mrekullia do ta shpëtonte kampionin e Maqedonisë pa u eliminuar nga kjo garë. Këtë e pranon edhe vetë Osmani.
“Pres që në ndeshjen e kthimit të luajmë shumë më mirë dhe të sulmojmë më shumë në krahasim me ndeshjen në Beograd. Partizani ka një avantazh të madh, por në Shkup do të bëjmë gjithçka për të fituar”, ka pohuar ai.
Në anën tjetër, fitorja e thellë ndaj Shkëndijës e ka qetësuar Partizanin para ndeshjes së kthimit. Bardhezinjtë tashmë e shohin ekipin e tyre të kualifikuar në rrethin e tretë. Për këtë, trajneri i ekipit serb, Aleksandar Stanojeviç, i ka përgëzuar djelmoshat e tij për lojën që shfaqën, derisa i ka falënderuar tifozët për përkrahjen e madhe.
“Kemi luajtur mirë kur ishte e nevojshme dhe me qetësi. I falënderojmë tifozët për atë mbështetje të jashtëzakonshme. Na kanë ndihmuar shumë në fillim kur kishim nevojë”, ka thënë ai.
Stanojeviç pranoi se ishte gëzuar kur Hasani nuk ia doli të shënonte nga pika e bardhë, të cilën penallti ai e konsideron të paqenë. “Kur u akordua penalltia, mund të na përkeqësoheshin gjërat, por portieri Stojkoviç bëri punë të mirë dhe e përgëzoj për intervenimin e tij. Do të shkojmë në Shkup pa ngarkesë”, ka theksuar ai.
Përndryshe, forca të shumta policore serbe ishin përkujdesur për t’i krijuar siguri ekipit shqiptar në Beograd, ku nuk u lejuan të udhëtojnë tifozët tetovarë ‘Ballistët’. Mirëpo, as ‘Grobari’ nuk do të lejohet të udhëtojë drejt Shkupit për ta përkrahur ekipin e tyre në ndeshjen e kthimit. Megjithatë, edhe pse pritet të ketë përkrahje të madhe të ‘Ballistëve’, Shkëndija vështirë se do ta bëjë mrekullinë për ta eliminuar Partizanin, pas asaj humbjeje të thellë që e pësoi në kryeqytetin serb.
Mos shkoni në Shkup
Partizani, përmes një komunikate, i ka lutur fansat e vetë ‘Grobari’ që të mos udhëtojnë për në Shkup, për ndeshjen e dytë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Shkëndijës së Tetovës.
Javën e kaluar është arritur marrëveshja për mospraninë e tifozëve mysafirë në ndeshjet e ndërsjella me Shkëndijën. Nga ana e jonë, kushtet organizative dhe siguria, janë përmbushur. Mbetet që e njëjta gjë të bëhet edhe në Shkup”, shkruan në uebfaqen zyrtare të klubit serb.
- “Për shkak të situatës specifike dhe angazhimeve që duhet të zbatohen, i lusim fansat tanë në Maqedoni, që të heqin dorë nga çfarëdo synimi apo dëshirë për të marrë pjesë në lojën që do të zhvillohet në Shkup”, vazhdon komunikata.