Më arrestoni!

TIRANË - Vetëdorëzohet dy javë pasi i hapi kokën për vdekje një bashkëmoshatarit të tij në Paskuqan. I shoqëruar nga i ati, i kërkuari nga policia, Shukri Damzi, u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës orët e vona të mbrëmjes së të dielës dhe pasi është prezantuar, ka bërë vetëdorëzimin. Njëri nga dy autorët e vrasjes së 27-vjeçarit Ervis Capa dy javë më parë në Paskuqan vetëdorëzohet në polici, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij vazhdon të jetë në kërkim. Shukri Damzi, 26 vjeç, ka hequr dorë nga arratia 14-ditore, për t’i dhënë fund ikjes nga përgjegjësia e autorësisë së vrasjes që nisi nga një vend parkimi. Burime të besueshme pranë grupit hetimor të çështjes bëjnë me dije për “Korrierin”, se Damzi është vetëdorëzuar. Ndërkohë që policia e Tiranës bëri të ditur për median, se Seksioni Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit preu paraditen e djeshme fletë-arrestin për Damzin. Të tjera burime konfidenciale policore bënë me dije se disa ditë më parë ishte bërë i mundur dhe lokalizmi i Damzit, i cili kishte mundur të fshihej jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja, në një banesë të braktisur. Por ai i kishte shpëtuar policisë, e cila prej ditësh ishte në ndjekje të tij. E ndërsa Damzi i dha fund arratisë, vazhdon të jetë në kërkim policor personi tjetër që ka marrë pjesë në vrasjen e Capës. Në lidhje me Arben Doçin, mik i Damzit, i shpallur në kërkim disa orë pas ngjarjes ku humbi jetën 27-vjeçari, vazhdon të mos ketë asnjë të re në lidhje me lokalizimin e tij. Nga burimet mësohet se ka qenë një i pjesëtar i familjes Damzi, ai që ka bashkëpunuar me policinë dhe ka bindur njeriun e tij të afërt që të vetëdorëzohej në polici e të mbante përgjegjësi për vrasjen. Nga deklaratat paraprake që i riu ka dhënë në polici, mësohet se qëllimi i tij nuk ka qenë vrasja e Capës dhe se sherri ka qenë i momentit. Por edhe pse dorëzimi mund të ketë pasur si qëllim ndryshimin e klasifikimit të veprës penale si “plagosje e rëndë me pasojë vdekjen”, Prokuroria e Tiranës e ka klasifikuar që në fillim të hetimeve ngjarjen si “vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim”. Ngjarja për të cilën akuzohet Damzi dhe Doçi ka ndodhur afro dy javë më parë në Paskuqan. Nga hetimet e para rezultoi se sherri për një vend parkimi çoi në vrasjen e Ervis Capës. Autorët e dyshuar si vrasës, pasi kanë lënë pa ndjenja bashkëmoshatarin e tyre, janë larguar në drejtim të paditur. Ervis Capa humbi jetën në Spitalin Ushtarak vetëm disa minuta pasi u godit me mjete të forta pas qafe, si pasojë e hemorragjisë.