E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi, rikthehet frika në Olimpiadë

Pas atentatit në Xinjiang, kanë vdekur 16 agjentë të policisë

Pas një atentati të ndodhur dje në zonën e Xinjangut në Kinë, 16 agjentë kanë gjetur vdekjen dhe po 16 të tjerë janë plagosur. Një atentat që ndodh vetëm 4 ditë para nisjes së Lojërave Olimpike "Pekin 2008", duke rikthyer frikën e terrorizmit. Policia vendase dyshon se atentati është vepër e një grupi terrorist, që quhet "Lëvizja Islamike e Turkistanit Oriental". I menjëhershëm reagimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që ka deklaruar: "Për momentin nuk mund të vëmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis atentatit dhe Lojërave Olimpike. Për ne mbetet një incident i ndodhur në një zonë larg asaj ku do të zhvillohet Olimpiada," - tha dje Emanuel Tonge, zëdhënës i shtypit të CIO-s. Por frika vazhdon të jetë e madhe, pasi ekziston ende mundësia që atentate të tjera terroriste të kryhen në ditët e ardhshme, në qytete të tjera të Kinës. Atentati i djeshëm ka bërë që edhe organizatorët e Lojërave në Pekin, BOCOG, të dridhen nga lajmi, ndonëse këta të fundit mendojnë më shumë për frikën e shiut gjatë ceremonisë së hapjes. Edhe smogu mbetet në rend të ditës, aq sa dje është hedhur ideja që maratona të zhvillohet në orët e mbrëmjes, atëherë kur niveli i smogut është më i vogël dhe temperaturat më të ulëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›