E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrit Çeku shkëlqen në Basel

“Muzicienti i ri në stilin e mjeshtërve klasikë”, është titulli që gazeta “Baselandliche Zeitung” i vë shkrimit për koncertin e parmbrëmshëm (30 janar), që virtuozi i kitarës nga Kosova e ka dhënë në Basel.

“Seria e koncerteve ‘Rising Stars’ është ndër më interesantet që organizon Allgemeine Musikgesellschaft Basel (AMG). Këtu prezantohen muziktarë të rinj që kanë marrë çmime në konkurse në gjithë botën dhe që janë në fillet e karrierës së tyre ndërkombëtare. Interesimi i publikut për këto koncerte është i madh. Kjo u tregua edhe në koncertin e tretë për këtë sezon, të kitaristit 28 vjeçar me prejardhje kosovare, Petrit Çeku. Ai ka dalë fitues në konkurse të shumta ndërkombëtare, përfshirë edhe atë ‘Andres Segovia’ në qytetin gjerman Velbert”, shkruan gazeta zvicerane, transmeton albinfo.

Në vijim të këtij shkrimi, gazeta thotë se “atmosfera e preferuar e Çekut është romantizmi i vonë, dhe këtë e tregon programi i tij recital. Koncerti fillon në mënyrë paradigmatike me ‘Sonata romantika’ A-Dur, një homazh për Schubertin, i autorit meksikan Manuel Ponce që e kishte kompozuar në vitin 1929 për Andres Segovian”.

“Në afishen e programit Çeku na është prezantuar si një instrumentist virtuoz dhe poet. Poet është me të vërtetë, por virtuoz në kuptimin e drejtpërdrejt ai nuk është edhe pse, në fakt, ai di të luajë me virtuozitet në kitarë. Ai është një kitarist që e ndjen muzikën nga brenda, i cili shpërfaq jetën e brendshme të pjesëve që luan, brishtësinë e tyre. Çeku shpalos një patos të introvertuar dhe befason me një piano plot ndjenjë. Aty është melankolia në sonatën e Ponces, një pikëllim për të kaluarën e humbur.

Në veprën homazh të Mario Casteelnuovo-Tederco, kushtuar Paganinit ‘Capriccio diabolico, Çeku lidh në mënyrë ideale muzikalitetin e tij të mbështetur në romantikën e vonë me shkëlqimin teknik”. 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›