E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porta që vetëm na zhvasin

Share

Nga Altin Ketro

Në Tiranë pritet të hapë dyert një Qendër e re Tregtare që siç e pranon edhe vet, është Porta Lindore e Tiranës. Emri mund ti mbetej thjesht simbolik nëse nuk do kishte mbështetjen maksimale të qarqeve të larta qeveritaro-bashkiake që po e kthejnë atë në një Portë të vërtetë për të hyrë në Tiranë. Përpos autostradës së re Tiranë-Elbasan  e cila në mënyrë klienteliste enkas u devijua që të kalojë pranë kësaj Porte, tashmë edhe linja e autobuzave të jug-lindjes do ketë një vendqëndrim pranë saj. Pra, përveç përdorimit të fondeve shtetërore kemi edhe shpërdorim të kompetencave nga një njësi vendore për ti ardhur sa më shumë në ndihmë Portës.

Dikur, në kohën e orientit, kishim Portën e Lartë tek e cila duhet të trokisnim e nga e cila merrnim urdhrat. Tani qeveria na ka orient(uar) drejt Portës, po Lindore, tek e cila duhet të ndalim hapim për të zbrazur xhepat. Sa shumë hipermarkete për një treg kaq të vogël sa yni, ku më së shumti njerëzit nxitojnë të blejnë nëpër dyqanet e vogla të lagjeve, sepse kanë mundësinë që të marrin veresia ushqimet e përditshmërisë së tyre me shpresën se deri në fund të muajit do i bëjnë ca lekë, që dyqanxhinjtë bamirës tua heqin një vizë nga lista e gjatë e borxheve që u rëndojnë mbi shpinë.

Një hipermarket është në mbyllje e sipër e kushedi kush tjetër e ka radhën pas tij. Fuqi blerëse e vogël që edhe nëse i bie rasti të hyjë në to, mrekullohet vetëm nga shkëlqimi vezullues i dritave dhe luksi i ambienteve, kalojnë përbri vitrinave, kënaqen me bukurinë e tyre dhe duke soditur çdo gjë përreth, shtyjnë një pjesë të ditës.

Është provuar edhe më parë në simotrat e saj që fillimi do jetë tërheqës, ku njerëzia do përpiqet të shuajë kuriozitetin për diçka të re qe vjen në qytet. Do shtypen e do shqyhen për të përfituar sadopak nga ofertat që rëndom shërbejnë si karem që do peshkojë njerëzit. Do nxjerrin edhe ato pak kursime që kanë për të blerë diçka më lirë, kryesisht pajisje elektronike, mbase edhe artikuj ushqimor nga një firmë e njohur dhe pastaj … çdo gjë do normalizohet e do ecë në rrjedhën e vet. Po ajo rrjedhë falimenti që po përshkon edhe të ngjashmet e saj.

Një Portë Lindore përballë Portave që mësynë pjesën Perëndimore. Tashmë ndjehemi të kompletuar me Porta që në fakt nuk prodhojnë, por që gjithkush aty konsumon. Nëse u ka mbetur për të konsumuar gjë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›