E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nato “kërcënohet” nga të majtët

02-06-2012 / Nga Ilirian Dahri

Dy vjet më parë ndërsa Shqipëria anëtarësohej në Nato, nga radhët e të majtës shqiptarë u tha se Vendi ynë nuk i përmbushte ende kushtet për t’u anëtarësuar në Aleancën ushtarake më të madhe të planetit. Për këta nostalgjikë të komunizmit, Nato konsiderohej ende si një Aleancë armike. Madje edhe në vizitën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kreu në Shqipëri po nga radhët e të majtës shqiptare u fabrikuan lajme të paqena që kërkonin të kalonin në një plan të dytë vizitën e tij të suksesshme në vendin tonë. Por e njëjta gjë po ndodh edhe me të majtën europiane. Edhe këta të fundit rreken të gjejnë arsye nga më të ndryshmet për të minimizuar forcën dhe rëndësinë e Nato-s. Ata i konsiderojnë si një humbje kohe takimet që organizon Aleanca. Natyrisht, flasin në emër të humbjeve të burimeve dhe të kohës në një kohë kur kapitalizmi perëndimor ndodhet në krizë. Kështu kanë folur edhe për takimin e përvitshëm të Nato-s që u zhvillua vetëm disa ditë më parë në Çikago ku morën pjesë krerë shtetesh dhe të qeverive të Vendeve anëtare.  Kanë shkruar në gazetat e tyre duke ngritur pyetjet se përse duhet të mblidhen krerët e shteteve dhe të qeverive të 28 anëtarëve të Aleancës së Atlantikut ndërsa një shtet si Greqia është afër falimentimit, kanë kujtuar se bankat amerikane vazhdojnë të gabojnë me investimet e tyre, se të rinjtë janë të papunë dhe se kërcënimi i Europës nuk janë më komunistët. Duket se në filigranë ka një lidhje me kohët e shkuara kur flitej për kapitalizmin dhe komunizmin. Me anë të studiuesve të tyre kanë “evidentuar” këto vende “mike” që përbëjnë Aleancën më të madhe ushtarake të botës dhe kanë bërë madje dhe një pyetje mjaft “origjinale”. Pse duhet akoma kjo Aleancë kur misioni i saj është mbyllur 23 vjet më parë me shembjen e komunizmit? Në një kohë, - ku sipas tyre - nga Afganistani kërkojnë që të ikin të gjithë sepse ky Vend nuk ka shumë rëndësi për vetë Aleancën. Ndërkaq “harrojnë” se pikërisht pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, Nato shërbeu më shumë kur doli në territorin natyror europian dhe kur kaloi në misione të vërteta siç janë ato që u kryen në Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Irak, misionet detare antiterroriste, pastaj në Afganistan dhe së fundmi në Libi. Kanë qenë pikërisht këto operacione të vërteta të kryera në fushën e betejes, në këto 20 vjet, që kanë çimentuar solidaritetin e Aleancës ushtarake. Nga ana tjetër të majtët europianë, me statistika në duar, kanë shkruar se vetëm pesë nga 28 vendet aleate arrijnë 2%, të Gdp në shpenzimet ushtarake të fiksuara nga Nato, madje vetëm një vit më parë një prej këtyre vendeve ishte Greqia e cila blinte nga Gjermania dhe Franca nëndetëse të kushtueshme. Por Vendet anëtare nuk merren me këtë lloj propagande por kërkojnë që veprimet e tyre të jenë gjithmonë të koordinuara.  Ndonjë problem egziston sepse  vetëm SHtetet e  Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbulojnë 75%, të bilancit të Aleancës dhe do t’i kërkonin europianëve që të shndërroheshin tashmë në “furnizues” sigurie dhe jo vetëm në “konsumatorë” të saj. Sidoqoftë Vendet europiane kanë shpenzuar për mbrojtjen 180 miliardë euro, për vitin e kaluar 2011, shifër kjo që nuk është e pakët. Flitet se disa prej aleatëve kërkojnë të kthehen në origjinë, në kontinentin e vjetër duke kërkuar tek Rusia shenjat e armikut të vjetër.  Por Aleanca Atlantike më fort se kurrë duhet të vazhdojë të ndjekë misionet e saj sepse bota përreth ka më nevojë më shumë se kurrë për të. Planeti tashmë është kthyer në shumëpolësh. Rusia e Vladimir Putin-it nuk është më Bashkimi Sovjetik por ndërkaq në 10 vitet e fundit ka rritur me 368%, shpenzimet e saj ushtarake dhe gjatë fushatës zgjedhore vetë presidenti rus ka premtuar se vitin e ardhshëm do t’i rrisë me 50%. Nga ana tjetër Kina ka rritur bilancin e saj për mbrojtjen me 335%, por edhe India me 183%. Një situatë që duhet monitoruar tashmë në të gjitha anët e globit. Një shtet si Irani që kërkon dhe ëndërron bombën atomike ndërsa një shtet si Izraeli kërkon që ta bombardojë atë. Një situatë  që kërkon një angazhim akoma dhe më të madh të Natos. Pikërisht në Izrael po shihet situata e brendshme politike e këtij Vendi e cila  është e lidhur me paqen në atë rajon. Bashkësia ndërkombëtare është e interesuar për efektet që mund të ketë paqja me palestinezët, por edhe për raportet me Iranin. Ndoshta nisur edhe nga kjo disa prej partive të qëndrës në Izrael po kërkojnë që në emër të “natyrës hebraike” të Izraelit të kërkojnë  zgjidhjen për dy shtete të pavarura. A mund të ketë një bombardim të mundshëm të zonave ku ndodhen armët bërthamoret të Iranit? Si do të jetë impakti për sigurinë rajonale dhe më gjërë?  Bota është e mbushur me rreziqe ndërsa të majtët kërkojnë të “arsyetojnë” akoma nëse duhet të  egzistojë ende Nato - ja apo jo.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›