E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatosi që su bë dot kurrë pionier

Share

Nga Brizida Gjikondi

Rikthimi i Fatos Nanos dhe harresa kundrejt gjëmave të tij tregojnë se sa e rëndë është situata në Shqipëri, sa pa dinjitet dhe pa kujtesë historike jemi. Eshtë aq e rëndë sa Nano arrin të duket burrë i mirë, dhe allishverishet dhe pabesitë e tij historike të amnistohen dhe justifikohen qoftë dhe me heshtje.

Në një dynja tjetër që nuk është kjo e jona, reagimi do kish qenë i menjëhershëm edhe thjesht për kurajën që ky njeri fodull merr për tu vetëshpallur kandidat për President Republike, vezët dhe domatet nuk do ishin më në ambalazhet e tyre. Nuk kam ndërmend që në këtë pakëz shkrim të risjell dhe shkruaj gjëmat fatzeza të Fatos Nanos në raport me shqiptarët dhe sidomos me të majtët e përçudnuar nga papërgjegjshmëritë, pabesitë dhe performancat e tij plot vese të hapërdara, kurrsesi jo prej shtetari! Nuk kam ndërmend, pasi kush ka sy ka parë dhe shikon, kush ka mend kupton dhe kush ka zemër, trishtohet.

Agresiviteti i tij i fundëm është sa acarues dhe qesharak, ndërkohë që pazaret dhe takimet pompoze prej Hamza Kastrioti së fundmi këtë 7 vjeçar i ka shijuar me Berishën dhe Metën, merr kurajon prej një mafiozi nervoz dhe shantazhon të majtët, të cilëve deri më tash pa reshtur iu ka hapur varrin.

Elokuenca e tij sipërfaqësore dhe e lodhshme, zëri i zvarritur dhe anemik, janë përdorur si e vetmja armë sharmante e tij këto kohë, përpiqet të tundë flamurin e kujtimeve të liberalit të dikurshëm, ndërkohë që liberalizmi i tij ish amoralitet në politikë, por ndoshta dhe ska faj që ëndërron, kur u rikthye Berisha të nusërojë bashkë me Metën, pse mos ta provojë dhe Nano, ndoshta dhe ai si ata udhëhiqet nga deviza se populli nuk zgjedh ata që e shërojnë, por ata që e rrogojnë.

Çka mua më shqetëson dhe më prish rehatinë duke më dhënë pakëz kurajo për të shkruar është se si ne shqiptarët pak nga pak jemi bërë si zombie, asgjë se trondit më shpirtin tonë të lodhur, asnjë imoralitet ose guxim të pacipësh, ne kjo politikë e poshtër vrastare vlerash deri në gen na ka shprishur gjakun, gjakun dhe rehatinë më të domosdoshme për të jetuar.

Kulisat, pabesitë, vajtje ardhjet e mirënjohësve të Nanos dhe intrigantëve të Berishës, Ramës dhe Metës për kapje dhe pazare të ndyra antishqiptare, bëjnë të kuptosh edhe një herë për të miliontën herë se ata as që duan tia dinë çmendon, ndjen dhe i nevojitet dynjasë shqiptare.

2 fjalë për Berishën.

Mjeshtër në politikë, konsekuent, dinak, demagog, nuhatës, shahist, agresiv, përçarës dhe sundues. Pavarësisht ironive, të qenit 25 vjet komunist realisht kanë qenë avantazhi i tij superior në të sjellurit ndaj dynjasë shqiptare të shqyer mes dy sistemesh. Kurrsesi svlen një lek për shtetar, performanca e tij në kupolën e shtetit për 20 vjet ka vërtetuar mangësitë organizative dhe vizionin e tij kaotik, gjakmarrës dhe anadollak ndaj Shqipëria është atje ku është. Ka pasion në demagogjinë e tij mashtruese, shumë pasion aq sa e shndërrojnë dhe në populist. Do jepte jo vetëm detet dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë së mjerë, por mund të falte edhe një krah të tijin veç për të qëndruar në pushtet dhe hyrë me dhunë në Historinë e Kombit.

2 fjalë për Metën.

Instiktiv, pragmatist, i pabesë, arrin të mbijetojë pasi gjithkund e rrethojnë mëkatarët.

2 fjalë për Ramën.

I padjallëzuar, ndaj i ndikueshëm nga klanet dhe intrigat, deri në mendjelehtësi, intriga të cilat pareshtur e kanë marrë në qafë atë dhe gjithë të majtët që pseudo-udhëheq. Kurrë nuk e mbylli atë dreq dere ndikimesh ndaj të lodhurve të PS-së, ndaj Leprave dhe Kokëdhimave e së fundmi ndaj Narit të Kokajve, pasojat e mendjelehtësisë së tij janë katastrofike deri dhe historike, Nuk ka shqisa që të ndjejë popullin, merr vendime sipërfaqësore, kaotike dhe asnjëherë konsekuente. Eshtë shtetar model, Shqipëria mund të ndërtohej me të, por kurrsesi nuk është lider shpirtëror. Aktualisht po korr çka mbolli me ndryshimin e Kushtetutës.

2 fjalë të fundit.

Shqipërisë i nevojitet një President dinjitoz, një President që minimalisht ti ngrejë poturet ku ja ka ulur kjo politikë miope me pazar të vogël, një Shqipërie post diktatoriale në fakt nuk do i vlente një President i zgjedhur nga 140 Petrita, skllevër partish, Shqipërisë do i vlente një President i zgjedhur nga Populli me referendum siç bëhet në gjithë dynjanë me ajër dhe dritë demokracie, President, i cili po të zgjidhej plot dinjitet nga populli i vet, nuk do zgjidhte për Prokurore të Përgjithshme Miss Bionden-Silvia Kontin, as Kryetar SHIK-u askushin e trembur, dhe gjyqtarëve vëllavrasës dhe gjakpirës do ia u shkulte dhëmbët e vampirit, por mallkimi i shqiptarëve, politika, ua ka mbyllur qarkun, pasi ajo punon si një lavatriçe me ujë të qelbur që veç pocaqira nxjerr nga barku… ndaj edhe ky President (pjellë e atij barku do jetë), por të paktën: a) mos jetë dhe ky nga veriu, (Shqipërisë i duhen ekuilibrat krahinorë) b) mos jetë ish komunist ( mjafton Saliu) dhe c) të dojë Shqipërinë më shumë se Salën, Metën, Ramën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›