Kandidat për dy poste në 24 orë!
Ish kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka kërcënuar drejtuesit e kësaj partie me krijimin e një partie të re të majtë, nëse ai nuk kandidohet për president për 24 orë. E llogaritur në kohën kur u bë kjo deklaratë, i bie që Edi Rama të shkojë nesër në takim me Sali Berishën me kandidaturën e Fatos Nanos për president. Nuk dua të komentoj as humbjen e qetësisë së zotit Nano dhe as dëshpërimin normal që ndjen një njeri kur nuk përmbush ndonjë aspiratë, të cilën ka nisur ta besojë vetë si të realizueshme. Nuk është problem as ultimatumi i tij ndaj PS me kërcënimin se do të krijojë një parti të re, se këtë është hera e katërt që e bën.
Ajo që shikoj si problem real tek qëndrimi i Fatos Nanos është degradimi i të arsyetuarit politikisht i një njeriu që ka një histori në politikën shqiptare. Degradimi ka të bëjë me vetë mundësitë dhe qëndrimin parimor që opozita socialiste ka mbajtur në procesin e zgjedhjes së presidentit. Qëndrimi i saj ka qenë i qartë. PS nuk ka vota të zgjedhë një president me 71 vota dhe për hir të frymës kushtetuese kërkon një president konsensual me mbi 84 vota. Kërkesën e saj për president konsensual Berisha e hodhi poshtë me përbuzje dhe arrogancë duke deklaruar se presidenti do të jetë një drejtues i PD-së me 71 vota. Këtij përbetimi iu mbajt deri një javë më parë, kur fare papritur u detyra të zbythet dhe të shkojë nga një kandidat i Partisë Demokratike, në një kandidat të Familjes së tij, me shpresë se anonimati mund ta ndihmonte për të kaluar lumin. Pas kësaj u betua se ky ishte lëshimi më i madh që i bëri opozitës dhe nuk do të kishte asnjë komunikim me të, dhe sidomos me Edi Ramën, që e kishte rrethuar më 21 janar. Para një dite u zbyth dhe nga ky qëndrim. Pas letrës së Stefan Fyles, ai u detyra të pranojë se do të takohet me liderin e opozitës të dielën në mbrëmje.
Pra, opozita, edhe pse nuk i pati votat për president, edhe pse ishte në kushtet e pamundësisë absolute për të ndikuar në këtë proces, në fakt arriti të ndikojë. Ajo e spostoi Berishën nga pozicioni i parë politik dhe dje e detyroi atë të ulte dhe kokën dhe të gëlltiste ato që kish thënë një javë më parë për liderin e opozitës. Këto janë dy fitore të rëndësishme politike të opozitës në kushtet e pamundësisë për të ndikuar në proces.
Pikërisht kur Partia Socialiste ka arritur ta tërheqë Berishën pas vetes deri këtu, shfaqet Fatos Nano për të detyruar Partinë Socialiste të heqë dorë nga kërkesa e saj parimore për një president konsensual dhe të vendosë për një president me 71 vota. Kjo kërkesë përveçse tregon një degradim të logjikës politike të tij, kërkon dhe të përbaltë opozitën dhe për të vënë atë në pozita të njëjta me Berishën, që pretendon se do të blejë vota opozitarësh për kandidatin e tij. Opozita socialiste ka 64 vota të saj në Kuvend dhe për të bërë një president me 71 vota duhet të blejë 7 vota për Fatos Nanon. Edhe sikur Nanos ti kenë ngelur ende lek dhe ti blejë këto vota, ai nuk ka pse tenton ti veshë më forcë kapuçin e hajdutit Partisë Socialiste vetëm pse do të bëhet president.
Logjika për ta barazuar PS dhe PD në dëshirën për të bërë një president me 71 vota, është përpjekja më e pastër për të shpëtuar Berishën para faktorit ndërkombëtar dhe për ti barazuar palët si të dyja njësoj. Për të bërë një president konsensual duhen doemos votat e PD dhe PS. PD, e cila e përdor rregullisht Fatos Nanon qysh nga viti 2007, nuk ia jep konsensusin për president dhe Nano, në vend t’ia kërkojë këtë nder Berishës, i cili e ka përdorur, ia kërkon partisë së tij, të cilën e ka poshtëruar dhe shitur vazhdimisht prej vitit 2007, duke bërë thirrje të votohet kundër saj. Partia Socialiste do të ishte në pozitë të vështirë nëse Berisha do thoshte publikisht se jepte konsensusin për Fatos Nanon, pasi kështu respektonte parimin që vendit i duhet një president konsensual. Ajo që kërkon Fatos Nano është që Partia Socialiste të heqë dorë nga presidenti konsensual, të prishet me Perëndimin, të dalë hipokrite dhe me dy standarde para shqiptarëve dhe të hyjë në një proces të turpshëm mafioz të blerjes e shitjes së votave, çka fyen në thelb garën për president. Një njeri që arsyeton kështu është shoqërisht i rrezikshëm edhe si qytetar, dhe jo më si president. Një njeri që mendon se presidenti zgjidhet duke vënë gjoba publike dhe duke bërë oferta për shitje e blerje votash, edhe sikur të jetë president, duhet shkarkuar.
Shfaqja e fundit publike e Fatos Nanos, më shumë se sa ndonjë shqetësim për opozitën, të ngjall shqetësim për nivelin e ulët të kulturës politike që demonstron një ish- kryeministër dhe kryetar partie, që ka ikur plot dinjitet me vota dhe kërkon të kthehet në politikë me pare dhe shantazh. E vetmja gjë interesante në atë që tha është se pas 24 orësh, nëse nuk shpallet si kandidat për president, do të krijojë një parti të re politike për të shpëtuar vendin. Ky është një gjest i mirëpritur. E rëndësishme është ta krijojë një herë diçka të vetën, se ndoshta shpëton veten nga parazitizmi, emigracioni i detyruar, eskortat ordinere që e shoqërojnë dhe autosugjestioni që Shqipëria po pret rikthimin e tij. Ai ka shpallur brenda ditës ambicien e tij për dy poste: Ose president, ose kryetar i një partie të re antiopozitare. Kësaj të dytës në fakt po i mbaron mandati pasi ka 5 vjet që e drejton, pa sukses.
