“Me ju SHBA-ja do vijojë drejt progresit”

Mesazhi zyrtar i Kryeministrit Sali Berisha drejtuar Presidentit amerikan, Barack Obama
Krahas vlerësimit gjatë mbledhjes së Qeverisë, të rizgjedhjes së Barack Obamës për një mandat të dytë si President i Shteteve të Bashkuara, kryeministri Berisha iu drejtua zyrtarisht edhe me një mesazh kreut të Shtëpisë së Bardhë. Në urimin e tij, kryeministri Berisha thekson se nën drejtimin e Presidentit Obama, SHBA do të vijojë në rrugën progresit e prosperitetit.
“Me rastin e ri-zgjedhjes suaj spektakolare për pozicionin më të lartë politik në planet, atë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një nder i madh dhe një kënaqësi e veçantë për mua, t’ju dërgoj urimet më të përzemërta dhe përshëndetjet më miqësore për sukses në detyrat e rëndësishme përpara. Kam ndjekur me vëmendje fushatën tuaj elektorale shembullore dhe jam plotësisht i bindur se nen udhëheqjen tuaj, me programin vizionar dhe vendosmërinë qe ju karakterizon, SHBA do të vijojnë në rrugën progresit e prosperitetit dhe do të konsolidojnë rolin e tyre si udhëheqës e promovues i vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë në botë”.
Ndërkohë, kreu i qeverisë shton më tej se, “për shqiptarët, SHBA dhe kombi i madh amerikanë janë dhe mbeten miku dhe aleati më i madh e strategjik dhe se kombi shqiptar do të mbetet përherë mirënjohës ndaj SHBA, Qeverise Amerikane, taksapaguesit e vendit tuaj, dhe ju zoti President, për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe ndihmën bujare që i keni ofruar Shqipërisë në të gjitha përpjekjet e saj për të ndërtuar lirinë, demokracinë dhe shtetin ligjor, të bazuar në tregun e lirë. Qeveria ime dhe unë personalisht, e konsiderojmë konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta me SHBA dhe qeverinë amerikane, si dhe miqësinë tradicionale më kombin amerikan, si një prioritet absolut të axhendës së marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë dhe mbetemi plotësisht të angazhuar të punojmë ngushtësisht me ju dhe qeverinë tuaj për të zgjeruar dhe intensifikuar edhe me tej bashkëpunimin e shkëlqyer te deritanishëm të te dy vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të te mirës se popujve tanë dhe paqes në botë. Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në krah të SHBA dhe NATO në të gjitha përpjekjet e tyre për një rajon Euro-Atlantik edhe më të fortë, edhe më të sigurt e përherë në paqe. Duke ju uruar sërish sukses, shfrytëzoj rastin t’Ju pohoj sigurimet e konsideratës dhe respektit më të lartë”, thuhet më tej në mesazhin e Kryeministrit Berisha me rastin e rizgjedhjes së Presidentit Barack Obama.