E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Rizgjedhja e Obamës do të influencojë në përparimin e marrëdhënieve SHBA – Shqipëri

08-11-2012 / Gazeta 55

Krerët e Shtetit shqiptar urojnë rizgjedhjen e Barack Obamës

Krahas personaliteteve të shumtë botërorë, edhe krerët e shtetit shqiptar kanë uruar presidentin e rizgjedhur të SHBA-ve, Barack Obama. Menjëherë pas konfirmimit të lajmit, për një fitore të dytë të Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë, s’munguan mesazhet e urimit për Presidentin. Kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përshëndesin rizgjedhjen e presidentit Barack Obama, ndërsa i vlerësuan  zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si leksion për demokracinë.
Kreu i shtetit shqiptar, Nishani shprehet në mesazhin drejtuar presidentit Obama se, vazhdimi i mandatit të tij si President i vendit më demokratik në botë, është një kurorëzim i përpjekjeve të z. Obama në dobi të popullit amerikan dhe të paqes dhe sigurisë në mbarë botën.
“Rizgjedhja Juaj në postin e lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve, familjes suaj, si edhe popullit mik amerikan urimet më të ngrohta dhe miqësore, për sa më shumë sukses dhe mbarësi! Kam bindjen e thellë se vazhdimi i mandatit tuaj si President i vendit më demokratik në botë, është një kurorëzim i përpjekjeve tuaja në dobi të popullit amerikan dhe të paqes dhe sigurisë në mbarë botën”, thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani.
Sipas Presidenti Nishani, rizgjedhja e z. Obama do të influencojë përparimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
“Jam i sigurt se kjo rizgjedhje do të influencojë mjaft pozitivisht edhe në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh besimin tim se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë, lirisë, zhvillimit dhe shtetit ligjor”, vijon urimi i kreut të shtetit shqiptar.
Presidenti Nishani i shpreh mirënjohjen Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë në proceset e integrimit euro-atlantik.
“Gjej mundësinë, i nderuar Zoti President, të theksoj mirënjohjen më të thellë personale dhe të gjithë kombit shqiptar, për mbështetjen e vazhdueshme që vendi Juaj i madh i ka dhënë vendit tim në përpjekjet për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe për të marrë përsipër angazhimet në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›