E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më keq se vjet

Vetëm 41.96 për qind e maturantëve kosovarë ia kanë dalë ta kalojnë provimin e maturës. Vitin e kaluar, përqindja ishte 63.4. Por, për kryetarin e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, provimi ishte i suksesshëm, sepse janë nxjerrë rezultatet më reale deri më tash. Nga Arlinda Musliu më 16 qershor 2011 në ora 08:40

Vetëm 41.96 për qind e maturantëve, ose 10757 maturantë (nga 25 721) e kanë kaluar me sukses maturën, ndërsa pjesa tjetër do t’i nënshtrohen provimit edhe një herë në afatin e gushtit.

Krahasuar me vitin e kaluar, rezultati është shumë më i dobët. Në vitin 2010, testin e maturës e patën kaluar 63.4 për qind e maturantëve, respektivisht nga gjithsej 25 793 maturantë, të suksesshëm ishin treguar 16.577 sish.

Pavarësisht kësaj, kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, njëherësh zv.ministër i Arsimit, Nehat Mustafa tha të mërkurën se provimi ishte i suksesshëm për faktin se janë nxjerrë rezultatet më reale deri më tash, në këtë test të dijes. Ai pranoi se ky rezultat është më i ulët se sa vitet e kaluara, por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se ka ulje të cilësisë së arsimit. “Nuk është ulje e cilësisë në arsim, por kisha me thënë që kemi një formë të re të vlerësimit dhe organizimit të provimit. Përcaktimi ynë që testin ta mbajmë në hapësira të mëdha ishte me vend, për faktin se është minimizuar mundësia e ndërhyrjes nga jashtë. Por, e meta e këtij provimi sivjet ka qenë numri i madh i nxënësve në një sallë, të cilën do ta përmirësojmë vitin e ardhshëm”, është shprehur Mustafa.

Ai, si dhe prorektori për mësim në Universitetin e Prishtinës, Bajram Berisha, një ndër anëtarët e Komisionit…, janë shprehur të shqetësuar për rezultatin e dobët të treguar nga maturantët e shkollave profesionale, krahasuar me gjimnazet. Mirëpo, Berisha ka thënë se kjo ndodh edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore.
Maturantët e gjimnazeve në këtë afat kanë arritur 57.5 për qind kalueshmëri, ndërsa ata të shkollave profesionale 25.2 për qind. Kalueshmëria më e lartë është arritur në shkollat e muzikës - 59.9 për qind.

Maturantët e pakënaqur me rezultatin mund të bëjnë ankesa deri më 21 qershor, ndërkohë që sqarimet do t’i marrin më 22 qershor.

Gjatë procesit të provimit shtetëror të maturës, janë identifikuar edhe disa parregullsi, ku si pasojë në një qendër të komunës së Deçanit do të përsëritet provimi të shtunën e ardhshme.

Prorektori për mësim në UP, Bajram Berisha ka thënë se UP-ja është angazhuar në këtë proces, duka ofruar gjithë hapësirat e mundshme për mbajtje të testit, si dhe ka angazhuar edhe stafin e tij. “Qëllimi ishte që të shohim nga afër se si rrjedh ky proces, sa është i besueshëm rezultati përfundimtar. Testi është organizuar në nivel të duhur dhe rezultatet janë të pranueshme apo reale”, theksoi Berisha. Sipas tij, vitin e ardhshëm do të punohet që pilotimi i sivjetshëm në tri njësi akademike për regjistrimin e studentëve me pikë të maturës, të shndërrohet në nivel universiteti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›