E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi kërkoi nga grevistët të tërhiqen nga greva

Nga Express më 15 qershor 2011 në ora 18:29

Veteranët e luftës së UÇK-së edhe në ditën e njëzet e katërt nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga greva, por ndihen të fortë moralisht dhe nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Grevistët e vendosur në tendat para objektit të Qeverisë së Kosovës kërkojnë që me ligj të bëhet njohja politike e luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.

Nesret Salihu, anëtar i këshillit grevist, ka deklaruar se kanë mbajtur një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ku ky i fundit ka kërkuar nga grevistët që të tërhiqen nga greva, duke u thënë atyre që ligji për vlerat e luftës shumë shpejt do të vijë në Kuvend.

“Kemi pasur një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi pak me herët. Ai na ka njoftuar që ligji ende nuk ka ardhur në parlament. Na ka premtuar që në momentin që do të vijë në parlament ne do ta aprovojnë këtë ligj. Ka kërkuar prej neve që të largohemi prej tendave, mirëpo ne nuk e kemi parë të arsyeshme derisa nuk është në duart e parlamentit ligji për mu tërheq prej grevës”, ka thënë Salihu.

Deri më tani veteranët grevistë i ka vizituar kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, disa prej deputetëve dhe shumë ish-ushtarë të UÇK-së dhe qytetarë, por jo edhe kryeministri apo ndonjë zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›