Finale para finales

Real Madridi dhe Bayerni do ta kërkojnë finalen e Munichut, pas përballjes së tyre të dytë në harkun e një jave. Madrilenët u mposhtën në Allianz Arena për herë të parë këtë vit në këtë kompeticion, por ‘Los Blancos’ duhet t’i falënderohen golit të vlefshëm në udhëtim të realizuar nga Mesut Ozil.
Fitorja 1:0 do t’u mjaftonte atyre që ta prekin finalen në vitin e tyre të dytë nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho. Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema kanë filluar të kuptohen mirë, prandaj Reali është bërë më i rrezikshëm këtë sezon.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne dhe duhet të fitohen. Kemi gjithmonë përgjegjësi t’i fitojmë ato. E duam finalen e Ligës së Kampionëve”, ka thënë trajneri i Realit, Jose Mourinhos, i motivuar pas fitores së madhe në El Clasico në duel me Barcelonën.
Në anën tjetër, bavarezët do të mundohen ta mbrojnë avantazhin e krijuar në duelin e parë. Mario Gomez, i mbështetur nga dyshja Frank Ribery-Arjen Robben, e ka për qëllim që ta eliminojë nëntë herë kampionin evropian dhe të luajë në stadiumin e vet në finalen e 19 majit.
Pasi e lëshuan mundësinë që ta fitojnë Bundesligën, djelmoshat e Jup Heynckes nuk kanë çka të humbin. “Ne jemi të vetëdijshëm se na nevojitet një gol ose dy. Jemi të aftë ta arrijmë këtë, sepse kemi sulmues të jashtëzakonshëm”, ka thënë Heynckes për ueb faqen zyrtare të Bayernit.
“Por, për të arritur deri aty, duhet të jemi kompaktë dhe të pakalueshëm, që do të na jepte mundësi të mirë të shënojmë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme ta përdorim potencialin e plotë. Duhet ta japim 100 apo 110 përqindëshin nga vetja. 10 përqindëshi i fundit vjen nga energjia emocionale. Nëse ia dalim, kemi mundësi të mira ta fitojmë këtë kompeticion”, deklaroi trajneri gjerman.
Bayerni ka më së shumti lojtarë që kanë kartonë dhe që mund të mungojnë në finalen eventuale, nëse ndëshkohen sërish – 7. Reali e ka fituar Grupin D me 18 pikë, prej tyre 6 fitore. Në të tetën e finales, madrilenët e eliminuan CSKA Moskën, kurse në çerekfinale, APOEL Nicosian.
Në anën tjetër, Bayerni e mbylli fazën e grupeve në pozitën e parë (Grupi A) me 13 pikë, prej tyre 4 fitore, 1 barazim e 1 humbje. Në të tetën e finales, bavarezët e eliminuan Baselin, derisa në çerekfinale ishin më të mirë se Olympique Marseille.
Liga e Kampionëve
Gjysmëfinalja
Sonte
20:45 Real Madrid – Bayern Munich