Dita/Edi Rama kundër investimeve të huaja, demaskon edhe “imperializmin austriak”
Letrat e hapura të kreut të opozitës shqiptare tejkaluan kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Edi Rama nuk u mjaftua të sulmojë shqip, “me zë dhe figurë”, investitorët e huaj që nisin sipërmarrjen e tyre më vendin tonë. Por kësaj radhe tejkaloi cipën e turpit për t’i dërguar një letër të hapur kancelarit austriak Uerner Fayman për t’i thënë se biznesi austriak do të hetohet me imtësi nëse kompania nuk investon si në Austri.
Duke u nisur me çështjen e fitimit të lotarisë Kombëtare nga ana e një kompanie austriake, Rama e informon kancelarin austriak se PS-ja do ta hedhë në gjyq kompaninë nëse ajo nuk tërhiqet përfundimisht nga Shqipëria.
Kërcënimi i drejtpërdrejtë plot duf mediatik vjen prej Edi Ramës, por të panjohura janë shtysat reale të kësaj letre.
Kuptohet vetiu se kjo letër përbën rastin e vetëm në botë që një politikan i lartë i një vendi, saktësisht shefi i opozitës, çon letra demaskuese në kancelaritë e Europës për të denoncuar investimet e tyre, në një kohë ku për shkak të krizës ekonomike botërore, sipërmarrja e huaj po joshet me paketa fiskale lehtësuese, etj.
Duhet të kuptojmë një herë e mirë se investimet e huaja janë të rëndësishme për vende si SHBA-të, jo më për Shqipërinë. Vetëm kujtoni faktin që investitorët arabë në Amerike kanë rreth 600 miliard dollarë të investuara, apo investimet kolosale të oligarkëve rusë në Angli për të kuptuar se dalja kundër investimeve të huaja a-priori është një çmenduri me theks marksist.
Ndërkohë investimet e huaja direkte janë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të një ekonomie. Investimet e huaja direkte, përfshijnë investimet e individëve dhe institucioneve të huaja në ekonominë vendase, për blerjen e të paktën 10 për qind të kapitalit të një ndërmarrje. Investimet e huaja direkte, janë një tregues i rëndësishëm i besimit të investitorëve të huaj në një vend, dhe ato ulen në kushtet e krizave ekonomike dhe politike, dhe rriten në kushtet e përmirësimit të ambientit ekonomik dhe politik.
Partia Socialiste nuk ishte shtyrë kurrë kaq larg, sa t’i dërgojë një letër akt-akuzë një kryeministri të një vendi të Bashkimit Europian, për të “demaskuar” qeverinë dhe sipërmarrjen e huaj. Ndonëse është stërvitur shpesh herë me sulme kundrejt investitorëve të huaj (sidomos në energjinë e rinovueshme), PS-ja nuk paska mësuar asgjë nga politika e saj zhvlerësuese.
Sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundër produktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë edhe për vendin. Është si një refleks i kushtëzuar i opozitës që sa herë i hapet rrugë sipërmarrjes së lirë dhe konkurrencës të deklarojë se kur do të vijë në pushtet do të anulojë e sekuestrojë pasuritë, do të shtetëzojë privatizimet dhe do të pezullojë punën.
Në të gjithë Europën në vështirësi ekonomike, fjalëkalimi është të punojmë “së bashku”, duke qenë çdonjëri i përgjegjshëm për t’i dhënë prosperitet qytetarëve, një bazament mundësish për brezat e ardhshëm. Por në Shqipëri, kreu i opozitës jo vetëm që është pa një vizion sesi Shqipëria të klasifikohet së shpejti një vend i zhvilluar, por kryen akte të pamoralshme në sytë e botës.
Sido që të jetë, letra e hapur drejt Austrisë është sa një gjest i papërgjegjshëm për një politikan të nivelit të lartë dhe po aq një gjest i frikshëm politik që dëften rrezikshmërinë e një opozite anti-liberaliste. Sepse krijimi i një klime jo miqësore për investitorët do të thotë më pak vende pune.
Po ashtu kërcënimi i investitorëve të huaj se do të taksohen shumë më shumë largon investimet direkte në vend dhe penalizon rritjen ekonomike. Me letrën e hapur dërguar kryeministrit të Austrisë, Rama ka krijuar precedentin më të papranueshëm ndonjëherë. Fatkeqësisht kjo s’do të jetë e fundit.