E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga 2008-ta, 35% më shumë korrupsion

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) bëri të ditur sot se i ka dorëzuar në prokurori hetimet për 159 zyrtarë të institucioneve, të dyshuar për korrupsion. Sipas raportit që e prezantoi sot para gazetarëve, drejtori i Agjencisë, Hasan Preteni, gjatë vitit të kaluar, rastet e dyshuara korruptive kanë shënuar rritje për 34.61 për qind, krahasuar me vitin paraprak.

“AKK për periudhën raportuese, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pranuar numër dukshëm më të madh të rasteve të dyshuara për veprime korruptive.
Përderisa në vitin 2008 ishin raportuar gjithsej 130 raste, gjatë vitit 2009 AKK ka pranuar 175 raste, që në përqindje i bie të jenë pranuar 34.61% më shumë raste se në vitin paraprak”, tha Preteni, në një konferencë me gazetarë.

Në raportin e ri të AKK-së, që përfshinë vitin 2009, saktësohet se nga 175 informata të pranuara, më së shumti informata – gjithsej 53 sosh kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Për ndërmarrje publike, ish-ndërmarrjet shoqërore dhe agjencitë e privatizimit, Preteni tha se i kanë pranuar 43 informata, nga të cilat vetëm 13 janë përcjellë, deri më tani, në prokurori. Për qeverinë, ku përfshihen ministritë dhe agjencitë në kuadër të ministrive, AKK-ja ka pranuar 34 informata; 17 prej tyre i ka dërguar në prokurori. Rritje të dukshme kanë shënuar edhe informatat për korrupsion të mundshëm në pushtetin lokal.

“Agjencia në rastet ka zhvilluar procedurën e hetimeve dhe për të cilat ka rezultuar me sigurimin e provave i ka dorëzuar në prokuroritë publike kompetente denoncimet në lidhje me dyshimet të përfshirë në veprime korruptive për 159 persona, zyrtarë të institucioneve të lartpërmendura”, ka thënë drejtori Preteni, transmeton KosovaPress.

Prokurorisë së EULEX-it i janë përcjellë 34 informata, kurse për shkak të natyrës specifike të rastit, në 26 raste, informacionet i janë përcjellë Policisë së Kosovës.

Por nga informatat që i janë kthyer AKK-së nga prokuroritë ku janë dorëzuar 168 lëndët, deri më tani kanë ndodhur vetëm 5 arrestime.

Në 60 raste, bëhet e ditur se kanë filluar hetimet penale nga prokuroritë kompetente; 5 aktakuza janë ngritur; në 62 raste nuk ka informacion kthyes nga prokuroritë, kurse në 36 raste, lëndë janë hedhur poshtë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›