“Me mendësinë e opozitës tek ‘kutitë’, unë qëndroj edhe 35 vjet në Pushtet”
Deklaron kryeministri Berisha
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje deputetëve të opozitës të pranojnë realitetin në vend dhe të heqin dorë njëherë e përgjithmonë nga pretendimet e tyre absurde. Nga foltorja e Kuvendit, shefi i ekzekutivit iu drejtua deputetëve të opozitës se me mendësinë e tyre tek kutitë e votimeve të 2009-ës, ai do të qëndrojë edhe 35 vjet të tjera në Pushtet.
“Nëse opozita merret me ende kuti, mazhoranca do të rrijë me dekada në pushtet. Po vazhduat kështu ju, mua do të më keni në këtë sallë, hipur atje, edhe 35 vjet”, u shpreh Berisha, duke ironizuar strategjinë e PS-së në të bërin e opozitës.
Kryeministri tha se opozita duhet t’i referohet pikëpamjeve racionale dhe të mos merren më me strategji anti-qeverisëse, por me zgjedhje kritikash më të vlefshme.
Kryeministri iu referua dhe gënjeshtrës së fundit që Edi Rama u serviri medieve, lidhur me përdorimin e emrit të Fatos Nanos, të cilin e “përligji” si sekretar të Partisë Demokratike.
“Ju keni idenë gjeniale që edhe kundërshtarin tim politik të parafundit e cilësuat si sekretar partie. Strategjia juaj, është e ndërtuar nga shpifja dhe gënjeshtra”, tha më tej, kryeministri Berisha.