Berisha: Të gjitha vendet demokratike i votojnë dekretet në mënyrë të hapur

Kuvendi shtyn për seancën e ardhshme votimin për Rregulloren e re
Parlamenti ka shtyrë për seancën e ardhshme votimin e rregullores së re, për dekretet e Presidentit të Republikës. Mungesa e konsensusit të opozitës ka vonuar edhe votimin e procedurës së re për dekretet. Opozita kundërshton amendamentin e rregullores së re, në mënyrë që votimi i dekreteve të Presidentit të mos bëhet i hapur.
Kjo tematikë ishte dhe çështje e cekur nga kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se të gjitha vendet demokratike, dekretet e presidentit i votojnë në mënyrë të hapur.
“Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, për miratimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, votimi i hapur i dekreteve është standard i vendeve me demokraci të zhvilluar dhe një procedurë që sjell konsolidim të transparencës parlamentare”, tha kryeministri Berisha.
Gjithsesi një gjë e tillë është kundërshtuar përsëri nga kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi. Deri tani votimi i dekreteve të kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese bëhej me kuti ose i fshehtë me elektronikë.