Edvini: Po s’mbeta në bashki, shqiptarët do hanë bar
Nga dëshpërimi, Edi s’përpiqet më ta fshehë trashëgiminë politike dhe e shpreh hapur ndjenjën e hakmarrjes ndaj atyre që s’e votuan me 8 maj. Duke përsëritur presionin leninist ndaj Kolegjit Zgjedhor, por edhe duke kërcënuar për destabilizim, Rama u kujton shqiptarëve se do t’i futen greminës e do hanë bar, si dikur, nëse s’ia falin sërish bashkinë e kryeqytetit
Kryetari i socialistëve dhe ish kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama i rikthehet përsëri gjuhës së konfliktit si dhe dogmës së revolucionit bolshevik, për të futur vendin në një qorrsokak të pazgjidhshëm. Kërcënimi erdhi dje nga vetë kreu i majtës si dhe humbësi i garës elektorale për kryeqytetin. Edi Rama kumtoi dje në sytë e gazetarëve dhe vështrimin e kamerave, një apel stalinist’ se, s’është i interesuar për reagimin e simpatizantëve të majtë apo të djathtë, por se ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund çmendurisë së tij, nëse Kolegji Zgjedhor i Apelit nuk kthen mbrapsht vendimin që legjitimon vendimmarrjen e KQZ-së. Shantazhi i tij është i thjeshtë dhe i kuptueshëm: “më lini karrigen e bashkisë t’ju lë të qetë dhe pa protesta”. Kjo gjobë-vënie që tentohet t’u vihet institucioneve të shtetit, ka si pikësynim nxjerrjen e tempullit të drejtësisë në ilegalitetit si dhe të penetrueshëm nga tendencat dashakeqe të eksponentëve ekstremë politik. Edi Rama përbën shembullin më të shëmtuar të politikëbërjes opozitare, teksa në rolin e një banditi të papërtypshëm kërcënon dhe shantazhon se, “po s’iu dha Bashkia në tavolinë, do të djegë Shqipërinë”. Logjika e këtij fodulli shëmtaraq, ksenofob dhe nevralgjik shkon deri aty sa, Shqipërinë anëtarë të NATO-s, Shqipërinë në marrëveshje “Schengen”-i, pa regjim vizash me vendet e Bashkimit Evropian, kërkon ta kthejë në Shqipërinë e etërve të tij, të izolimit ekstrem, trafiqeve ilegale si dhe eksodeve të ’90-ës drejt rrugës së premtimit të madh, Perëndimi!
Në një bashkëbisedim të tij me gazetarët, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka theksuar se këtë herë kriza do të jetë më e thellë pasi sipas tij vjedhja e votës është bërë hapur dhe në sy të të gjithë shqiptarëve. “Vendimi i Kolegjit zgjedhor ishte i padrejtë, ishte një padrejtësi e hapur dhe flagrante për kërkesën e opozitës. Kolegji rrëzoi kërkesën legjitime të opozitës kur dy vjet më parë praktikisht i hapi rrugën krizës 2-vjeçare institucionale, politike me të gjitha pasojat që dihet nga të gjithë ashtu siç njihet edhe kostoja e këtyre pasojave që erdhën si përmbajtje e shpërdorimit të pushtetit të vjedhur nga Saliu”- tha Rama. Më tej, kreu i opozitës shton se Partia Socialiste do të vijojë betejën e saj ligjore, por nënvizoi se do të kërkojë me forcë që drejtësia të japë drejtësi. “Tani më sfida e hapur ka mbërritur në një moment kulmor kur do të duhet të ndodhë ballafaqimi me produktin e saj që ndodhi në tavolinën e KQZ-së. Gjurmët e barbarisë nuk janë vetëm në shkeljet e kushtetutës por edhe në vetë aritmetikën e rezultatit të rremë që ka prodhuar KQZ-ja”- deklaroi më tej kryesocialisti dhe ish kryetari i bashkisë, Rama. I pyetur për një ankimim të mundshëm përtej Kolegjit Zgjedhor, Rama theksoi se hapi i sigurt deri më tani është ky Kolegj, ndërsa përsëriti se opinionin e Komisionit të Venecias e refuzon vetë kryeministri Berisha. Kësisoj, kandidati i socialistëve, Edi Rama, i cili humbi zgjedhjet në Tiranë si dhe i solli një rrudhje elektorale të majtës dhe Partisë Socialiste, krejt ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme për Kryeqytetin, s’guxon të respektojë vullnetin e votuesve të kryeqytetit dhe në kundërsens me legjitimitetin e votës, përkon të përligjë kërcënime të tipit bolshevik me gjuhën e Stalinit dhe Leninit. Edi Rama duhet t’i thotë “Stop” krizës së tij psikike si dhe t’i nënshtrohet vullnetit të lirë dhe demokratik të qytetarëve të Tiranës, të cilët këtë herë e kanë ndëshkuar me “forcën” e votës.