E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më në fund, Papadhimas emërohet kryeministër i Greqisë

Konfirmimi vjen nga zyra e Presidentit të Greqisë, Karlos Papulias. Liderët e tri partive kryesore të Greqisë janë takuar me Presidentin grek në përpjekje për të arritur një marrëveshje.

Korrespondentët e “BBC”-së nga  Athina thonë se grekët shpresojnë që qeveria e re t’iu mundësojë stabilitet në mënyrë që ta kalojnë krizën.

Papadhimas do të udhëheqë një qeveri të përkohshme, e cila mision kryesor ka marrëveshjet me Bashkimin Evropian për sigurimin e fondeve të shpëtimit dhe çuarjen e vendit në zgjedhjet e parakohshme.

“Presidenti, pas rekomandimeve me liderët politikë që morën pjesë në takim, ka udhëzuar Papadhimasin të krijojë qeverinë e re”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit. Sipas burimeve nga Presidenca, qeveria e re do të betohet ditën e premte.

Po kush është Lukas Papadhimas?

Lukas Demetrios Papadhimas është lindur me 11 tetor 1947. Ai është ekonomist dhe ka shërbyer si guvernator i Bankës së Greqisë nga viti 1994 deri në vitin 2002. Papadhimas po ashtu ka shërbyer si zv/President i Bankës Qendrore Evropiane nga viti 2002 në vitin 2010. Aktualisht është profesor i politikës publike në Shkollën e Qeverisjes Kenedi dhe në Universitetin e Harvardit, teksa që prej ikjes nga BQE-ja shërben edhe si këshilltar i ish-kryeministrit Papandreu.

I lindur në Athinë, Papadhimas u diplomua në Institutin e Teknologjisë në Universitetin e Masaçustesit në vitin 1970, mori masterin për inxhinieri elektronike në vitin 1972, teksa në vitin 1978 u bë doktor në ekonomi.
Nga viti 1975 deri në vitin 1984 ishte pedagog në Universitetin e Kolumbias ndërsa nga 1988 në vitin 1993 në Universitetin e Athinës.

Papadhimas ka shërbyer si ekonomist i lartë në Bankën e Rezervës Federale në Boston në vitin 1980. Ai iu bashkua Bankës së Greqisë në vitin 1985, teksa u bë zv/guvernator në vitin 1993 dhe guvernator në vitin 1994.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-11-10 14:04
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›