Publikimi i fakteve të panjohura arkivore
Margaret Thatcher, ish-kryeministrja e Britanisë së Madhe, besonte se rënia e Murit të Berlinit ishte pjesë e një kërcënimi gjerman të tipit nazist ndaj paqes dhe stabilitetit të Europës dhe në krye të këtij plani ishte Kancelari i Gjermanisë Federale i etur për pushtet, Helmut Khol. Këto bëhen të ditura në disa dosje diplomatike franceze. "Franca dhe Britania e Madhe duhet të bëhen bashkë sot përballë rrezikut gjerman", mësohet t‘i ketë thënë baronesha Thatcher ambasadorit francez në Londër në mars të vitit 1990, sipas një burimi diplomatik francez. "Khol është i aftë për çdo gjë. Ai ka pësuar një ndryshim të madh dhe është bërë tjetër njeri. As vetë ai nuk po e njeh më veten. Ai e konsideron veten si zot dhe ka nisur të sillet si i tillë", ka thënë Kryeministrja. Këto deklarata të saj janë publikuar në prag të përvjetorit të 20-të të rënies së Murit të Berlinit. Maurice Vaise, historiani francez që ka mbikëqyrur botimin e dosjeve, tha se Lady Thatcher ishte e "tmerruar" për atë çka mund të kishte sjellë ribashkimi i Gjermanive 44 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Sipas saj, Gjermania do të dëshironte sërish të bëhej shteti më i fuqishëm i Europës. Ish-presidenti francez, Mitterand, dhe Kryeministrja britanike i ndanë shqetësimet e tyre personalisht. Gjatë një darke në Paris në janar të vitit 1990, Presidenti francez i tha Kryeministres britanike se një Gjermani e bashkuar mund të ishte më e fuqishme nga ajo që donte të krijonte Hitleri. Arkivi britanik ka publikuar edhe fakte të tjera me qëndrimin e Thatcher-it. E tillë është një bisedë e saj me Gorbaçovin, gjatë së cilës ajo i tha bashkëbiseduesit se as vendi i saj, as Franca nuk e donin ribashkimin e Gjermanisë.