E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më në fund, në ujërat e drejtësisë

Preç Zogaj

Pas endjes njëvjeçare në detin e hapur të debateve politike, ngjarjet dhe vrasjet e 21 janarit kanë  hyrë më në fund dje në kursin e ujrave të  drejtësisë. Ashtu siç kanë kërkuar  parreshtur  familiarët e  protestuesve të vrarë – të Hekuranit, Aleksit, Faikut dhe Ziverit. Ashtu siç ka ngulmuar përgjatë gjithë vitit, qysh prej orës 19.00 të datës 21 janar 2011 e këndej, opozita shqiptare. Ashtu siç ka dashur shumica dermuese e opinionit publik. Ashtu siç kanë  dashur edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, në radhë të parë miqtë e mëdhenj amerikanë.

Meritë për këtë  hop shumë të rëndësishëm  të  hetimeve kanë Prokuroria Shqiptare, Ambasada e SHBA-së në Tiranë, Departamenti i Shtetit, FBI-ja amerikane,  gjithë ata ekspertë  të panjohur prej nesh, që  zbardhen me përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre të padiskutueshëm enigmat e  vrasjeve të 21 janarit në bulevardin Dëshmorët e kombit në Tiranë.

Prokurorja e  Përgjithshme, Ina Rama pati  idenë e drejtë  tu drejtohej qysh në fillim për ndihmë  Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë akt ajo siguroi ekspertizën më të lartë të mundshme  për  çeshtjet në hetim.

Njëkohësisht – dhe kjo është po aq e rëndësishme- ajo  e çliroi hetimin nga  politizimi, paragjykimet dhe akuzat politike të Berishës apo kujtdo tjetër. Sot askush që ka mizën nën kësulë nuk mund ta akuzojë sërish  Prokururinë për njëanshmëri apo tendenciozitet. Ekpertiza e armëve , plumbave, vrasjeve dhe  dhe serverit të kryeministrisë ka ardhur nga agjencia më e famshme investigative e botës. Baronëve politikë të Tiranës, të vegjël për botën por të rrezikshëm për popullin e tyre, nuk udelhesapi ti shpallin luftë FBI-së pasi prapa saj janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është  vetë nocioni i panegociushëm i demokracisë  dhe shtetit ligjor. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, shkëlqësia e tij Aleksandër Arvizu  dhe zyrtarët e lartë amerikanë që merren me Shqipërinë kanë  mbajtur fjalën e dhënë se  SHBA  do të mbështesnin Prokurorinë Shqiptare për një hetim të drejtë, të paanshëm  dhe gjithëpërfshirës  të 21 janarit. Kjo i është dashur dhe i duhet vendit. Të mos merakoset njeri se po vihen në një plan gjëra që  ndryshojnë si nata me ditën. Le të kalojë gjithçka në sitën e hetimit më të imët të mundshëm. E drejta vetëm zbardhet nga hetimi. Episodet e ndryshme, që dikush ka dëshirë ti fusë në një thes, vetëm diferencohen nga hetimi.  Në të gjithë e kemi ditur dhe e dimë se demostrata e 21  janarit 2011  do të ishte hedhur prapa krahëve, si shumë protesta të ngjashme  në Europën Demokratike, nëse forcat e armatosura brënda rrethimit të kryeministrisë nuk do të kishin hapur zjarr e nuk do  të kishin vrarë protestues të pafajshëm.  Vrasja e njerëzve ka qenë dhe është ngjarja, tragjedia, krimi.  Të tjerat janë gjëra të harrueshme, gjëra që ndodhin në demokraci, edhe  pse të padëshërueshme.  Për rrjedhim, zbardhja e 21 janarit është zbardhja e vrasjeve. Drejtësia për 21 janarin është ndëshkimi ligjor i vrasësve.

Hyrja  dje e hetimeve në ujërat e drejtësisë  e ka shveshur  përfundimisht 21 janarin nga debatet shterpë dhe fantazmagoritë e kërkuara  që është munduar ti diktojë që prej një viti kryeministri Berisha.  Mbërritja e ekpertizës së FBI-së dhe komunikimet e djeshme të  kryeprokurores Ina Rama në prani të ambasadorit Arvizu kanë sqaruar dy  gjëra të rënda:

E para, se është qëlluar  me armë zjarri nga oficerë të  Gardës në lartësinë e trupit të njeriut, pra drejt në mish, gjë që ka qenë  kundërshtuar me forcë deri dje nga  zyrtarët e lartë  të qeverisë dhe zëdhësit e tyre, edhe pse  një kundërshtim i tillë i dekonsipronte sikur e dinin se si duhej të qëllonin  e ku duhej të qëllonin  gardistët.

E dyta, gjatë natës dhe të  nesermen  e 21 janarit, ndoshta edhe të pasnesermen, në Gardë dhe në Kryeministri është punuar për asgjësimin dhe prishjen e provave. Nga serveri i kryeministrisë janë fshirë  pamjet filmike të  demostratës dhe  lëvizjeve në mjediset e saj të brëndshme, kurse në  kovaçhanen e Gardës paska patur ndryshime te tytave të armëve  për të  mos u zbuluar se cila ka qëlluar mbi qytetarët.  Janë veprime që njollosin  thellë Kryeministrinë dhe  Gardën e Republikës, dy institucione që  mendohet  se janë simbole të ligjmërisë. E gjithë kjo është thjesht e tmerrshme. Mund të ndodhë  në xhungël, në stanet e mafias, por kurrën e kurrës  në një shtet  europian.  Ata që kanë guzuar pa ua bërë tërr syri të venë një krim mbi tjetrin, pra të vrasin dhe pastaj të  fshijnë provat e  vrasjes , me siguri i kanë bërë llogaritë me  ekpertët e fushave të druve që caktojnë  gjykatat shqiptare, pa u kujtuar se FBI-ja me aparaturat e saj të teknologjisë së lartë do tua nxirrte në shesh të palarat.

Kryeministri Berisha e ka premtuar  kërcënueshëm  serverin e kryeministrisë para një viti. Nëse kontrollojmë datat e deklaratave  të tij dhe i krahasojmë me datën e fshirjes së pamjeve filimike sipas FBI-së,delse ai e ka premtuar kasetën pasi e kishte fshirë. Përgjatë një viti ai nuk ka folur më asnjë fjalë për ketë ngjarje kriminale po aq të shëmtuar sa vrasja e njerëzve. Tani që foli FBI-ja hesht sikur i ka rënë si bombë ky lajm.

Duke e lenë hetimin të ndjekë rrjedhën e vet dhe duke e lënë drejtësinë të thotë fjalën e vet, Berisha, për shkak të postit që mban dhe aktivitetit që ka kryer në kryeministri  si zyrtari numër një i qeverisë gjatë dhe pas demostratës së 21 janarit, ka detyrimin të shprehet para publikut për dy gjëra themelore.

E para, kush ka dhënë urdhër të hapet zjarr mbi  demostruesit në një kohë kur sipas të gjitha filmimeve  sekond për sekond  të televizioneve shqiptare demostrata po shkrehej?

E dyta, kush ka dhenë urdhër për fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i selisë ku ai është mbret e shkuar mbretit?

Këto dy pyetje janë sot themeli i raportit të këtij kryeministri me popullin e tij. Ato e thërrasin orë e çast në foltore. Ato nuk shmangen as duke i injoruar, as duke  fantazuar  skena  të reja. Ligji dhe ekspertiza njohin vetëm faktet. E vërteta e 21 janarit tani  kërkon  vetëm drejtësinë. Rruga  nga akuza te  vendimi i formës së prerë është  akoma e gjatë, plot  vështirësi  dhe të papritura. Por më në fund, pas kaq muajsh, 21 janari  ka marrë një nisje të mbarë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›