E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si sot 21 vjet më parë u formua në Krumë dega e Partisë Demokratike

23-01-2012 / Nga Sejdi Peka

Së bashku me Skender Jakun, ish-deputet i Partisë Demokratike në vitin 1992-96, morëm një ftesë, për të marrë pjesë në festën e përvjetorit të formimit të Partisë Demokratike në Rrethin e Hasit. Sapo kishte zbardhur mëngjesi, kur u nisëm nga Tirana dhe po kujtonim ato kohë, kur së bashku e bënim këtë rrugë pasi mbaronim mbledhjet e gjata të Këshillit Kombëtar. Në atë koha rruga ishte e gjatë nga Qafa e Malit, një rrugë e vështirë nëpër natë me borë e akull me plot të papritura. Jo rrallë kemi gdhirë të mbetur në rrugë të bllokuara, të mpirë nga të ftofti. Dhe sot, makina sikur fluturonte me shpejtësi në “Rrugën e Kombit”dhe pak kujtime kishim evokuar, kur arritëm në qytetin e Krumës. Nuk është për t’u çuditur kur e patëm shumë të vështirë të gjenim një vend për të parkuar makinën, anipse policia ishte e interesuar të na respektonte si “mysafirë” të nderuar. Ishim pikërisht përpara Pallatit të Kulturës “Pjetër Bogdani”, ku 21 vjet më parë, një grup i vogël demokratësh, nismëtarë për krijimin e Partisë Demokratike në Has, të survejuar në një presion të jashtëzakonshëm nga shteti i diktaturës komuniste, i kërkova përgjegjësit të Pallatit “të na lironte sallën e mbledhjeve se sot formohej Partia Demokratike”. Më kujtohet se si ish-operativi i sigurimit zgardulloi sytë duke u mbajtur në një parmak shkallësh, kur po më shikonte mua, “armikun e popullit”, ballë për ballë, në një betejë që ai e kishte të humbur. -Mos u çuditni zotëri -i tha poeti Bajazit Cahani në atë kohë i sapozgjedhur Kryetar i Degës së PD të Kukësit - ne kemi plot ambiente dhe shtëpi, por ne kërkojmë që Partinë Demokratike ta formojmë pikërisht në qendër të qytetit në zemër të Pjetër Bogdanit dhe t’u tregojmë njerëzve se me këtë moment historik, kemi vrarë frikën nga barbaria komuniste që do ta përmbysim. Jo,jo,kurrë, vetëm mbi trupin tim do të kaloni - belbëzonte sigurimsi, tek po rrëmonte në trupin si gërdallë sikur po nxirrte revolen. -Të është lagur baroti - i bërtitëm të gjithë me një zë dhe duke qeshur me të madhe hymë në sallë. Ishte një ditë e ftohtë me borë e sllotë. Në çizmet e grisura këmbët na ishin bërë si kallkan por të ftohtin nuk po e ndjenim. Shumë njerëz ishin mbledhur në rrugë, me zemër ishin me ne dhe po shikonin se çfarë do të ndodhte. Ne ishim pak, por shpejt u bëmë shumë, u bëmë si lumë, jashtëzakonisht shumë. Për një kohë mjaft të shkurtër neve arritëm që njeri në 20 banorë të Rrethit të Hasit, të ishte Anëtarë i Partisë Demokratike. Një veçori tjetër e Hasit për t’u shënuar krahasuar me të gjitha rrethet e tjera të Shqipërisë,është fakti se në vitin 1992 edhe në zgjedhjet Parlamentare edhe ato për pushtetin lokal që u zhvilluan me 26 Korrik të atij viti, harta e Hasit ishte e tëra blu. Partia Socialiste (e punës komuniste) ishte një minorancë e pa përfillshme.
Ndoshta ne demokratët në Has e patëm shumë më pak të vështirë të përballemi me murtajën komuniste, se prushi i antikomunizmit ishte i ndezur në këtë popull të traditës së patriotizmit dhe atdhedashurisë që kurrë nuk u shua dhe pritej çasti që ky prush i ndezur të merrte flakë... Mundet të përmendim faktin se në vitet 1944-46 në Has strehoheshin dhjetëra nacionalist me armë në dorë që po kundërshtonin instalimin e regjimit komunist në Shqipëri. I ashtuquajturi “Divizioni i mbrojtjes së popullit” ishte i përqendruar në Has dhe natë e ditë kishte për detyrë “të asgjësonte armiqt e popullit”. Çetat nacionaliste të Muharrem Bajraktarit, Uk Sadik Gjergjevikut, Nue Përlleshit etj, në përbërje të tyre kishin luftëtarë të dalluar të pushkës dhe të letrave si Prof.Imer Berishën, Dem Ali Pozharin, Sef Xheladinin, Taf Previzin, Marie Shllakun, Iljaz Pekën, Ejup Binakun e dhjetëra burra të lidhur me besa besë për lirinë e Shqipërisë dhe kundër sllavo-komunizmit, që e konsideronin të keqën e madhe që po kërcënonte Atdheun e tyre. Duhet theksuar fakti se asnjë luftëtarë antikomunist,nuk mundi të kapej dhe as të vritej nga forcat komuniste gjatë kësaj kohe në Has. Ata i strehoi, i mbajti me bukë dhe i mbrojti populli i Hasit, ndërkohë që edhe fëmijët u dërgonin bukë e ushqime nëpër shpella e male, po kurrë nuk tregonin. Një moment tjetër që e dallon Hasin në një eveniment tjetër ku shquhet patriotizmi dhe antikomunizmi i shpirtit demokrat të hasjanëve është shpirti properëëndimor europian. Pa përjashtim, të gjitha grupet që parashutuan në Shqipëri nga Kompania 4000 e Munihut të Gjermanisë Perëndimore, u kapën, u asgjësuan dhe u pushkatuan nga ish-sigurimi komunist i Enver Hoxhës edhe si rezultat i tradhtisë së Kim Filbit. Vetëm grupi që zbarkoi në Zarisht të Hasit në vitin 1950, me Miftar Planejën, Rexh Berishën, Halil Nergutin etj, nuk mundën t’i kapnin edhe pse Hasi ishte i mbushur pëllëmbë për pëllëmbë me qindra forca ushtarake dhe të sigurimit që po bënin terror mbi popullsinë e Hasit. Ushtarët e NATO-s u strehuan në Has dhe ndoshta ishin të vetmit që organizuan formacionet e rezistencës për rrëzimin e regjimit komunist. Shumë më vonë ,në vitin 1963,regjimi komunist do të hakmerrej kundër këtyre patriotëve hasjanë që strehuan dhe i mbajtën ushtarët e dërguar të NATO-s për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Një terror si i inkuizicionit mesjetarë u eksperimentua kundër këtyre patriotëve që u masakruan, u torturuan dhe u pushkatuan barbarisht dhe sot varret nuk u gjendën. Nga ana tjetër Hasi është një trevë etno-gjeografike e djepit të një kulture të lashtë që lindi shkrimtarë të mëdhenj të një plejade që i kanë dhënë letërsisë dhe gjuhës shqipe thesare të mëdha, të tillë si Pjetër Bogdani, Pjetër Zahrishti, Andrea Bogdani, Pjetër Mazreku etj. 
Kruma ishte në festë. Qindra demokratë, nismëtarë, anëtarë dhe simpatizantë të PD nga Hasi por edhe nga Kukësi, Tropoja, Gjakova etj, kishin ardhur për të marrë pjesë në gëzimin e përbashkët. Tubimin e hapi Kryetari i Degës PD të Hasit z.Elez Maçi. Plot emocione dhe entuziazëm shkaktoj në të pranishmit fjalimi i Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike z.Flamur Noka, që përshëndeti të pranishmit në emrin e Dr.Sali Berishës duke u dërguar përshëndetjet dhe urime të përzemërta për këtë përvjetor të rëndësishëm. Zëri fantastik i Greta Koçit me këngët e saj magjepsëse si përfaqësuese e Forumit Rinor, shkaktoi gëzim dhe entuziazëm duke i dhënë kësaj feste një gëzim të paparë. Thirrjet për Dr.Berishën nuk kishin të sosur. Dita ishte në të ngrysur dhe neve nuk po na bënte zemra të ndaheshim nga Kruma, vendi ynë i dashur.
Kruma tani ka ndryshuar për mirë falë investimeve dhe kujdesit personal të Sali Berishës. Tani ajo është një qendër e rëndësishme ku kryqëzohen rruget automobilistike bashkëkohore që e lidhin në më pak minuta me Gjakovën, Kukësin, Tropojën. Nga Tirana mundet të shkoni në Krumë, të pini një kafe në pamjen magjepse të asaj pllaje që është quajtur ndër kohë nga vizitorë të huaj si “Misiri i vogël” dhe përsëri të ktheheni i çlodhur në Tiranë. Tani hasjanët nuk mendojnë më të largohen nga vendi i tyre si nga një “tokë e mallkuar”. Njerëzit i janë kthyer punës falë investimeve edhe në fushën e bujqësisë dhe sidomos të pemtarisë. Qindra ha me pemë të ndryshme kanë zaptuar kodrat dhe fushat e begata të Hasit. Një jetë e re po rilind me një shpresë në besimin e madh tek zoti e demokracia dhe idhulli i tyre Sali Berisha. Hasjanët, në kohën e regjimit komunist nuk kishin as pulë në tra,bari rritej dhe thahej në malet me zë të Pashtrikut dhe fëmijëve u thahej buza për një pikë qumësht. Sot, në qytetin e Krumës e ke të vështirë të gjeni një vend për të parkuar makinën, nga makinat e hasjanëve, vila që përditë ndërtohen, pronë e njerëzve bujarë,të besës dhe trima të shquar,që gjithnjë janë dalluar kur i thirr burrëria dhe nderi i Atdheut.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›