Gjermania heq dy statujat e Marksit dhe Engelsit nga kryeqyteti i saj
Simbolet komuniste hiqen për t’i lënë vendit një infrastrukture më moderne
Për më shumë se 40 vjet kanë qenë simbole të Berlinit në pjesën e Gjermanisë lindore. Sot 20 vjet pas shembjes së murit të Berlinit, dy statuja të dedikuara më 1986 baballarëve të doktrinës komunistë, Karl Marks dhe Frederik Engels janë konsideruar si të pavend në urbanistikën e re moderne të kryeqytetit gjerman. Për ketë arsye urbanistike Ministri gjerman për Ndërtimin dhe Zhvillimit Urban Peter Ramsauer, i Partisë Social-Demokrate (CSU), ka kërkuar që monumenti i krijuar nga skulptori Ludvig Engelhardt dhe inauguruar në vitin 1986 nga lideri i atëhershëm komunist Erich Honecker, të largohet nga qendra e kryeqytetit gjerman dhe të vendoset tek varrezat e socialistëve ne Fridichsfelde, në periferinë veriore të qytetit.
Rasmuser i ka kërkuar “koalicionit të madh” midis social-demokratëve dhe kristian-demokratëve që qeverisin “bashkinë” e Berlinit që monumenti të largohet përfundimisht. Të dy statujat më fytyrë të ideologëve komunistë ishin spostuar përkohësisht një herë në shtatorin e 2010, për t’i hapur rrugë punimeve për linjën e re të metrosë U55. Dhe sot kërkohet të hiqet fare nga kryeqyteti gjerman.
Mirëpo kaq është dashur të ndizet disi debati publik dhe polemika politike, ngase dy statujat janë të vetmet monumente që përfaqësojnë komunizmin pas bashkimit të Gjermanisë. Shembulli me eklatant i fshirjes së shenjës të arkitekturës komuniste është prishja e Pallatit të vjetër të Republikës, një ekomonstër betoni që kishte shërbyer si selia e Parlamentit të Gjermanisë komuniste dhe vend të saj do të ndërtohet një ndërtesë moderne, Humbuoldt-forum.
***
Aneksi i 55/ Çuditërisht në çdo vend që ka pasur një diktaturë të egër simbolet e totalitarizmit janë hequr nga faqja e dheut pasi simbolizojnë dhunën shtypëse të regjimi gjakatar dhe fyejnë jo pak viktimat dhe të përndjekurit politikë. Kështu ka ndodhur në Gjermaninë naziste, në Italinë fashiste apo në Spanjën e gjeneralit Francisko Franko ku simbolet janë zhdukur me fundin e regjimeve. Gjermania jo vetëm ka hequr statujat dhe simbolet e nazizmit, por dhe ato të folesë së komunizmit, pasi konsiderohen një pedagogji e keqe për të rinjtë. Sigurisht nuk mund të shlyhet dhimbja me heqjen apo prishjen e simboleve të së keqes, sepse mbi të gjitha është kujtesa dhe dëmshpërblimi moral dhe financiar i përndjekurit që rivendos drejtësi.
Dhe nëse na lejohet të heqim një trajektore krahasuese mund të themi diçka për debatin e prishjes së Piramidës së Enverit, simbolit kuptimplotë të fuqisë shtypëse të një njeriu që e konsideronte veten zot të shqiptarëve, përderisa mund t’u hiqte atyre lirinë dhe drejtësinë me një gjest të dorës dhe gojës së ligë. Në Gjermani debatohet për heqjen e monumentit të fundit të kujtesës totalitariste, kurse në Tiranë ku monumente të arkitekturës shtypëse komuniste janë me bollëk, si Piramida, Muzeu Kombëtar dhe mozaiku i saj, Pallati i kulturës sovjetike, etj., krijohet një gjullurdi polemike e politike mbi arsyet e prishjes së një simbolike totalitariste dhe ndërtimin po aty të një parlamenti madhështore modern të një shteti të lirë dhe të drejtë. Degët e vyshkura të një peme priten me kujdes dhe harmoni për t’i lënë vend sythave dhe filizave të rinj.
Lavdrim Lita