E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama shkon për leksione krize në vendin e krizës

Për katër ditë me radhë, neofiti i krizave Edi Rama do të qëndrojë në ishullin Lesbos në Greqi për të mësuar taktikat sesi çohet një vend në krizë. Pa dyshim që fqinjtë jugorë janë specialistë për të hyrë në ciklin e krizës ekonomike. Për profanët shpjegojmë se kriza greke është krize klasike e borxheve dhe e shpenzimeve më të mëdha se të ardhurat. çdo vend në bote ka borxhe. Bile, borxhi është i nevojshëm, se pa borxhe Banka Qendrore nuk bën dot politike monetare. Puna është se kur tregjet humbasin besimin, borxhi kthehet në krizë. Gjithkush në Europë është i mendjes se deficiti publik i Greqisë si edhe borxhi i saj mbytës pasqyrojnë një varg problemesh - për të mos thënë “sëmundjesh kronike” - mes të cilave shkëlqejnë korrupsioni dhe ekzistenca e ekonomisë paralele.
Qenia në Eurozonë e rriste besimin e tregjeve tek Greqia dhe as bankat e mëdha, as kompanitë apo qeveritë e tjera nuk shqetësoheshin seriozisht se Greqia po manipulonte statistikat. Por kur humbi besimi, as demagogjia më e bukur dhe as premtimet për shuma të mëdha nga BE dhe FMN nuk po i bindin plotësisht tregjet se gjërat janë O.K.
Flasim për Shqipërinë. Besimi se borxhet do të paguhen është shumë i rëndësishëm dhe armiku kryesor do të ishte paniku. Nëse shohim politikën shqiptare që diskuton për ekonominë vërejmë se panik-ndjellësit janë kryesisht socialistë me konferencat e tyre për shtyp. Edhe kur qeveria shqiptare rrit rrogat dhe pensionet, kur në të njëjtën kohë në Greqi janë ulur rrogat me 15 përqind, Partia Socialiste lufton për të zhvlerësuar nëpërmjet panikut të borxhit publik dhe fantazmës së 1997, Mimi Kodheli dixit. Por në një vend ku borxhi publik është nën kontroll në 59 %, kur Partia Socialiste e ka mbajtur gjithmonë në nga 1997-2005 rreth 70 %. Psikologjikisht për analistët e tregjeve është e vështirë të thuhet se në çfarë niveli të borxhit fillon dhe mbaron kriza financiare botërore, por është e kuptueshme që nuk mund të fillojë kur borxhi publik është ulur dhe rritja ekonomike është 4.1 %. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ka ndikimin e krizës financiare të fqinjëve. Prandaj paniku që përmbajnë deklarata si ato të Shkëlqim Canit kanë për qëllim amplifikimin e hipotezave të tilla ogurzeza. Sigurisht sipas ekspertëve shqiptarë, kriza ekonomike që ka përfshirë Greqinë do të prekë Shqipërinë si dhe vendet e tjera të rajonit… se janë disa sektorë që do të preken nga kjo krizë, por këtu nuk ka vend për panik marifetçinjsh.
Dhe sigurisht kriza greke me krizën socialiste pritet të bëjë një xing, që i ngjan binjaku binjakut. Afërmendsh Edi Rama dhe George Papandreu janë simbiozë jo vetëm fizikisht me njeri tjetrin: në fytyrë, në gjatësi, në modelin e kuruar të pamjes, por edhe sepse gjenden të dy ideologjikisht në Internacionalen Socialiste. Të dy liderët socialistë sot po përballen me kriza, edhe pse të ndryshme: lideri socialist grek me atë të financave publike, kurse Rama me menaxhimin e financave personale të partisë së tij. Si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri ka pasur protesta të vazhdueshme, dhe për çdo kauzë të brendshme dhe të jashtme, por nëse në Greqi protestohet për pakësimin e rrogave të buxhetorëve, në Shqipëri protestohet për sajesën e kutive. Të gjitha këto protesta janë mbështetur dhe të organizuar nga elementë të majtë, grupe anarkiste e kështu me radhë kundër një qeverie legjitime. Por, fytyra e të majtës radikale kjo është, një luftë permanente ndaj vetes! Revolucion, dhunë rruge ku padyshim i janë bashkuar anarkistë, ambientalistë... dhe lista vazhdon.
Udhëheqësit e ndritur majtistë që mbajnë gjallë psikologjinë e turmës me njëmijë e një sebepe, ku si Greqia për aq sa e njohim e kemi parë edhe në Shqipëri, ku për të drejta absurde aktivizohen grupe delirantësh e militantësh në greva urie.
Por kësaj here Edvin Rama ka zgjedhur edhe një shok të ri udhëtimi, jo nga partia e tij si ciceron dhe sufler mbështetës së teorive neomarksiste. Ai shoqërohet nga kryetari i një partie aleate dhe ai gjithashtu i njohur për lidhjet intime me politikën greke. Padyshim bëhet fjalë për kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili edhe pse drejton një parti me program të qendrës së djathtë, do të jetë krah Ramës në disa takime të të majtëve evropianë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›