E Diel, 1 Nëntor 2026

Me ose pa trajner, por Shqipëria “shpik” miqësoren me Gjeorgjinë



Edhe pse Kombëtarja shqiptare përjetoi dy javët e fundit ditët e saj me të këqija në eliminatoret e Botërorit 2010 (humbje me Hungarinë e Danimarkën), rënien e lirë prej 11 vendesh në ranglistën botërore të FIFA-s (tani të 91-të në botë), shkarkimi de fakto të trajnerit Ari Han (ende juridikisht nuk është ekzekutuar vendimi nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka), të paktën nga selia qendrore e futbollit shqiptar vjen një lajm i bukur.
Shqipëria, katër ditë pas ballafaqimit zyrtar me Portugalinë (6 qershor), do të presë po në “Qemal Stafa” në një ndeshje miqësore Gjeorgjinë, një kundërshtar shumë i njohur për vendin tonë.
Se kush do të jetë ulur në bankinën kuqezeze, ende mbetet një enigmë për t’u zgjidhur, por ndaj Gjeorgjisë do të zhvillojmë sfidën e 11 historike midis dy vendeve, ku përfshihen ato miqësore dhe zyrtare.
Takimi i parë është luajtur gati 15 vjet më parë, më 14 dhjetor 1994, një ndeshje e humbur 0-1 në “Qemal Stafa” dhe i vlefshëm eliminatoret e Kampionatit Europian 1996. Trajneri i përfaqësueses sonë ishte në atë takim Neptun Bajko, ashtu si katër muaj më pas në Tbilis, ku humbëm 2-0.
Statistikat e 10 ndeshjeve të para flasin tërësisht për gjeorgjianët, të cilët kanë fituar dyfishin tonë: 6 ndeshje, kundrejt 3 të Shqipërisë, ndërkohë që është fiksuar vetëm një barazim. Golaverazhi, natyrshëm që ka shenjën e gjeorgjianëve 16-8.
Pesë prej 10 takimeve janë luajtur në Tiranë, ndërkohë që katër prej tyre janë luajtur në Gjeorgji dhe një tjetër në fushën neutrale të Maltës për turneun ndërkombëtar “Rothmans”. Tre fitoret e Shqipërisë janë realizuar të gjitha në “Qemal Stafa”, teksa në impiantin ndërkombëtar kryeqytetas ka fituar 2 herë edhe Gjeorgjia.
Ish-trajneri gjerman i Shqipërisë, Hans Peter Brigel, është dhe tekniku që është ndeshur më shumë me Bjellorusinë: 5 ndeshje, me një bilanc 2 fitore, 1 barazim e 2 humbje. Madje, edhe takimi i fundit i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë ka qenë nën drejtimin e tij në barazimin 0-0 në miqësoren e luajtur, më 22 mars 2006 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe ndeshja e fundit e Brigelit me përfaqësuesen tonë.

Nga trajnerët shqiptarë të Kombëtares, Astrit Hafizi është ndeshur 3 herë (1 fitore, 2 humbje), ndërsa Neptun Bajko dy herë (2 humbje).

MIQËSORET
E FUNDIT ME GJEORGJINË

Takimi i fundit i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë ka qenë nën drejtimin e tij në barazimin 0-0 në miqësoren e luajtur, më 22 mars 2006 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe ndeshja e fundit e Brigelit me përfaqësuesen tonë. Takimi u realizua falë miqësisë së Brigelit me trajnerin gjerman të Gjeorgjisë, Klaus Topmëler.

E FUNDIT ME AZERBAJXHANIN

Ndeshja e fundit miqësore e Shqipërisë është ajo kundër Azerbajxhanit në Baku, më 19 nëntor 2008. Takimi përfundoi 1-1, ndërsa golin për Kombëtaren tonë e shënoi Ervin Skela. Ndeshja pati shumë polemika, sidomos për kartonin e kuq të dhënë ndaj Elvin Beqirit.

Kush është Gjeorgjia

Gjeorgjia, kombëtarja e së cilës është krijuar në vitin 1991, pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, ndodhet në vendin e 109-të në ranglistën e FIFA-s, 18 vende pas Shqipërisë. Në renditjen specifike kontinentale, atë të UEFA-s, Gjeorgjia ndodhet në vendin e 42-të, ndërsa Shqipëria në të 39-in.
Aktualisht Gjeorgjia drejtohet nga një emër i njohur i trajningut botëror, argjentinasi 54-vjeçar Hektor Kuper (ka drejtuar më parë edhe Interim, Parmën, Valencian). Kapiteni i Gjeorgjisë është mbrojtësi i Milanit, Kakaber Kaladze.
Në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Gjeorgjia ndodhet në një grup me Italinë, Irlandën e Veriut, Bullgarinë, Qipron e Malin e Zi. Në shtatë takime ka grumbulluar vetëm 3 pikë, duke zënë vendin e fundit: 3 barazime, 4 humbje është bilanci i Gjeorgjisë.
Në dhjetë vitet e fundit, Gjeorgjia është drejtuar midis të tjerëve edhe nga katër trajnerë të huaj: holandezi Johan Boskamp, francezi Alen Zhires, gjermani Klaus Topmëler dhe aktualisht nga 1 tetori i vitit të kaluar nga argjentinasi Hektor Kuper.
Më listën e lojtarëve të thirrur së fundi për ndeshjen kundër Qipros kishte nëntë futbollistë që luajnë jashtë Gjeorgjisë, si në Rusi, Gjermani, Itali, Angli, Letoni. Aleskandër Jashvili luan te Karlsuhe e Edmond Kapllanit. Mesfushori i Shalke 04, 31-vjeçari Levian Kobshiavli është edhe lojtari me më shumë ndeshje në grupin gjeorgjian: 79 ndeshje, 8 gola.

NDESHJET ME GJEORGJINË

ZYRTARE

Elimin. Euro 1996
14.12.1994: Tr.: N.Bajko
Shqipëri-Gjeorgji 0-1

26.04.1995: Tr.: N.Bajko
Gjeorgji-Shqipëri 2-0

Elimin. Euro 2000

05.09.1998: Tr.: A.Hafizi
Gjeorgji-Shqipëri 1-0

09.10.1999: Tr.: A.Hafizi
Shqipëri-Gjeorgji 2-1

Elimin. Euro 2004
06.09.2003: Tr.: H.P.Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 3-0

10.09.2003: Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 3-1

Elimin, Kupa e Botës 2006

08.09.2004: Tr.: H.P.Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 3-2

04.06.2005: Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 2-0

TURNE NDËRKOMBËTARË
“Kupa Rothmans”, Maltë
08.02.1998: Tr.: A.Hafizi
Shqipëri-Gjeorgji 0-3

MIQËSORE
22.03.2006 Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 0-0

Bilanci në total: 10 ndeshje; 3 fitore Shqipëria, 1 barazim, 6 fitore Gjeorgjia. Golaverazhi: 8-16

Në lojë edhe Shpresat

Edhe Shpresa e Shqipërisë do të përballet në një miqësore me Gjeorgjinë U-21, po më 10 qershor. Katër ndeshje ofrojnë statistikat kundër mysafirëve nga Europa e largët lindore. Edhe këtu bilanci flet dukshëm për Gjeorgjinë: 3 fitore, të tyre kundër 1 të Shqipërisë. Golaverazhi i përgjithshëm 5-6. Në dy ndeshjet e fundit zyrtare të Kombëtares sonë U-21, Shqipëria himi me homologët skocezë :0-1 në Elbasan dhe 5-2 në Falkirk.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›