E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Gjykates, lirohet nga akuzat ministri Basha

Gabimet e Prokurorisë, që favorizuan ministrin Basha. Aktet, të pavlefshme prej afateve, ministri s’mori dot pafajësinë

Laureta Rryçi

Tiranë - Kolegji penal i Gjykatës së Lartë i cilësoi dje të pavlefshme nga ana procedurale të gjitha veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme, të kryera pas përfundimit të afatit ligjor të hetimit, që ishte 6 nëntori 2008. Kolegji penal pushoi çështjen me vendim të formës së prerë duke argumentuar me termin “pavlefshmëri absolute" edhe dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë. Vendimi vijon me tej edhe me pavlefshmëri të dërgimit të fletë-thirrjes nga ana e prokurorëve ndaj Lulzim Bashës. Duke gjykuar kështu, kolegji madje deklaroi se ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur. Gjykatësit argumentuan madje se e pavlefshme është edhe akuza e pabarazisë në tendera për dy të pandehurit, Lulzim Basha dhe Andi Toma, pasi akuza është ngritur jashtë afateve hetimore. Argumentet
Gjykata pohoi se gjen të pajustifikuar vakuumin e kohës prej gati një viti, gjatë të cilit Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit dhe më pas njoftoi akuzën. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë i ka dhënë fund të gjithë odisesë së hetimit për një nga çështjet më të përfolura të qeverisjes së demokratëve, atë të abuzimeve me tenderin e segmentit rrugor “Rrëshen-Kalimash”. Dy javë më parë, i njëjti vendim ishte marrë edhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, i gjendur me të njëjtën akuzën me Bashën. Ministri i Jashtëm ka dalë i qetë nga selia e Gjykatës e Lartë. “Me vendimin e Gjykatës merr fund komploti ndaj aksit ‘Rrëshen-Kalimash’. Sot është dita e vajtimit të komplotistëve kundër rrugës Durrës-Kukës”, - tha ministri pak çaste para se të largohej përfundimisht nga Gjykata.
Kërkesa
Ndërsa Prokuroria kërkoi t’i jepej një shans i dytë për ridërgimin e fletë-thirrjes në adresë të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, Gjykata e Lartë u dha të drejtë pretendimeve të avokatëve. Njëlloj siç vepruan dhe dy shkallët e Gjyqësorit.
Por përtej vendimit të djeshëm, ish-ministri i Transporteve nuk mundi dot të merrte vendimin e pafajësisë për akuzat e bëra.
Pas një hetimi prej më shumë se një viti, Basha u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për “shpërdorim detyre“ dhe “favorizim në tendera“ lidhur me fondet për ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Punëve Publike. Dëmi i shkaktuar, sipas Prokurorisë, nga ish-ministri dhe ish-drejtori i Rrugëve është 232 milionë euro.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›