Më pak zogj ujorë shtegtarë, censi i shpendëve tregon rënie në qarkun Shkodër

Ka përfunduar pak ditë më parë Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë.
Punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura si dhe pjesëmarrës të organizatave mjedisore për tri ditë me radhë kanë kryer numërimin dhe regjistrimin e shpendëve në ligatinat e qarkut të Shkodrës.
Tonin Macaj, përgjegjës i sektorit të menaxhimit në Administratën Rajonale e Zonave të Mbrojtura Shkodër thekson që ajo ç’ka është konstatuar gjatë këtij censusi është se janë vërejtur më pak shpend ujorë shtegtarë kjo për shkak të ndryshimit të kushteve klimatike.
Macaj bën me dije se impakt pozitiv për rikthimin e shpendëve në habitatin e tyre është edhe ndërgjegjësimi i komunitetit përreth zonave të mbrojtura për të mos i gjuajtur këta shpendë.
Në kushtet ku ngrohja globale pritet të ketë efekte, veçanërisht të theksuara në habitatet ligatinore bregdetare përmes rritjes së nivelit të detit, monitorimi i shpendëve të ujit luan një rol të rëndësishëm edhe në monitorimin e efekteve që këto ndryshime sjellin mbi miliona shpendë uji.
Gazetar: Luan Kadija
/rtsh.al/