Zhvillimi i turizmit në Kolonjë, nevojitet shtimi i njësive akomoduese

Bashkia Kolonjë është duke i dhënë hov zhvillimit të turizmit me investime të shumta të cilat janë duke u kryer. Viti i kaluar shënoi dyfishim të turistëve ndërsa operatorët turistikë të zonës thonë se për të përballuar fluksin nevojitet shtimi i njësive akomoduese.
Kolonja mbetet një nga atraksionet më të njohura turistike në vend, për bukuritë që ofron, traditën, e në mënyrë të veçantë për trashëgiminë e kulturën që ka kjo trevë e njohur e juglindjes së vendit.
Nga njëri vit në tjetrin është shtuar numri i turistëve vendas e të huaj. Vitin e kaluar është dyfishuar numri i turistëve dhe vizitorëve dhe e gjithë kjo ka ardhur edhe për shkak të investimeve të kryera në veçanti në fshatrat turistike.
Edi Bilo, një prej operatorëve turistik të zones thotë se “rritja e numrit të turistëve në resortin e tij e ka detyruar të rritë kapacitetin akomodues”.
Erseka si dhe fshatrat e shumtë turistikë të Kolonjës kanë mirëpritur gjatë vitit të kaluar afro 28 mijë turistë, ndërkohë që numri i vizitorëve ka kaluar shifrën 40 mijë.
RTSH