Më pas në këtë analizë e ka marrë fjalën Kryeministri Pandeli Majko. "E kërkova këtë takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, tha Kryeministri, - mbi të gjitha, jo vetëm
Më pas në këtë analizë e ka marrë fjalën Kryeministri Pandeli Majko. "E kërkova këtë takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, tha Kryeministri, - mbi të gjitha, jo vetëm për të tërhequr vëmëndjen e publikut për situatën e hekurudhave, por mbi bazën e një arsyetimi akoma më të thjeshtë. Shqipëria po organizon si veprimtari të vetën procesin e hapjes së negociatave dhe firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE. Normalisht jemi fokusuar në integrimin në BE dhe NATO.
Besoj se, cilido qytetar, përfshirë dhe ju këtu, e dini shumë mirë se integrimi nuk është plotësim i letrave, por arritje e disa standarteve praktike. Rrjedhojë e këtij shqetësimi për arritjen e këtyre standarteve, kanë qënë dhe vizitat e herëpashershme të drejtuesve të qeverisë në sektorë të rëndësishëm të transportit si ky i juaji.
Realisht, në sistemin e e hekurudhave ne kemi shumë probleme. Pavarësisht nga puna e jashtëzakonshme e punonjësve të këtij sektori, për arsye të njohura, por dhe jo shumë të deklaruara, sektori i hekurudhave ngelet nga më të prapambeturit në arritjen e standarteve. Ne kemi një sektor hekurudhor që nuk i përballon sad he si duhet ritmet e zhvillimit".
Në vijim të analizës së punës së Drejtorisë së Hekurudhave, Kryeministri Majko nënvizoi faktin se, "dinamika e rritjes së volumeve të transporteve në mënyrë alternative dhe gjëndja e vështirë që ka trashëguar sektori i hekurudhave nga vala e shkatërrimeve ka pjesën e vet të justifikimit në të gjithë këtë diskutim. Dua të vë në dukje se, ne kemi një rënie drastike të treguesve të transportit. Po ta krahasosh me vitin 1996, kur transporti kapte një volum prej 521 mijë ton mallra, aktualisht jemi në nivelin 259 mijë ton. Pavarësisht investimeve në rritje dhe situatës në përgjithsi ndihmuese që është përpjekur të organizojë Qeveria për sektorin e hekurudhave, problematikat me të cilat ballafaqohen hekurudhat shqiptare do t'i ndaja në dy grupe.
Degradimi i mjeteve të infrsastrukturës dhe mjeteve lëvizëse
Shkallë e ulët e menaxhimit të këtij sektori.
Ndërsa përsa i përket ndihmesës së Qeverisë gjatë kësaj periudhe Kryeministri Majko tha se, "me sforco është bërë e mundur rivënia në punë e linjës hekurudhore të Bajzës me Malin e Zi, gjë që krijoi mundësi për fillimin pjesor të transportit ndërkombëtar. Por, ndërkaq, ne presim një lëvizje të fortë nga ana e drejtorisë. Eshtë dhënë një fond i konsiderueshëm në dispozicion për të ndërtuar pjesën e mbetur të linjës Shkodër - Bajzë që do të lidhë tërë rrjetin tonë me atë ndërkombëtar. Aktualisht, janë në diskutim disa projekte për Korridorin 8, që ai të funksionojë jo vetëm në aspektin rrugor, por edhe atë hekurudhor".
"Ajo që dua të theksoj, tha Kryeministri, është menaxhimi më i mirë i burimeve njerëzore dhe kufizimi i apatisë që vihet re. Nga informacionet që unë kam, ka shënja të dukshme apatie. Megjithëse ka njerëz që punojnë dhe e kanë lidhur jetën me Drejtorinë e Hekurudhave, është krijuar koncepti që hekuruadhat në Shqipëri nuk bëhen dhe njerëzit vijnë në punë vetëm për të marrë rrogën. Kjo ka sjellë një problem tjetër, pasi kjo apati ka kaluar tek sektori që përballet me interesin e qytetarit. Ai, përveç pritjes e përcjelljes që i serviret sot në vagonat e shërbimit hekurudhor aspak komfort, përballet edhe me apatinë dhe me problematikat tuaja".
Në vijim, Kryeministri Pandeli Majko theksoi se, "me një menaxhim dhe koncept financiar më të mirë është plotësisht të mundshme që në këtë sistem të kemi ndryshim për më mirë. E përsëris dhe një herë që, kam ardhur këtu që t'ju them se sa rëndësi ju japim dhe se sa të shqetësuar jemi. Pres nga ju disa sinjale të forta për të ndryshuar situatën. Në fund të fundit, të gjithë bashkë pavarësisht se jemi në rolin e kryeministrit me përfaqësuesit e administratës shtetërore të Drejtorisë së Hekurudhave, kemi një kontratë me qytetarin.
Ju jeni një sektor që përballet më shumë me interesat e qytetarit. Aq më tepër që, tarifat e tjera të transportit, të taksive e autobusave kanë marrë pak të tatëpjetën. Sistemi hekurudhor ngelet një mundësi reale për tu shfrytëzuar nga qytetarët në nevojë. Megjithëse janë qytetarë në nevojë, askush nuk i pengon ata të kërkojnë një shërbim të ndryshëm nga ajo që ofrohet deri më sot në trena, shërbim që respekton dinjitetin e udhëtarit dhe seriozitetin e sektorit. Unë nuk vij nga Hëna. Edhe unë deri dje kam udhëtuar me tren dhe e di se si udhëtohet në trenat tanë të famshëm".
Në fund të fjalës së tij Kryeministri Majko vuri në dukje faktin që, "asgjë nuk pengon shpejtimin e realizimit të reformës në këtë sektor. E themi shumë shpesh fjalën reformë, por e kam fjalën për atë reformë që parashikohet në programin ekonomik dhe financiar të miratuar për uljen e numrit të punonjësve dhe përmirësimin e strukturës organizative të kësaj shoqërie. Asgjë nuk pengon që të përshpejtohet puna për hartimin e Kodit Hekurudhor dhe plotësimin e tij me aktet ne nevojshme ligjore e nënligjore. Asgjë nuk pengon që të merren masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë së udhëtimit nëpërmjet bashkëpunimit me struktura të tjera të shtetit.
Të marrë fund një herë e mirë praktika e hapjes së mbikalimeve të paautorizuara hekurudhore, gjë që ka sjellë jo pak kosto në jetë njerëzore. Në fund të fundit, ne nuk mund të lejojmë vazhdimin e diskretitimit të nivelit të shërbimit publik që ofron aktualisht ky sektor. Është koha që ju të dëshmoni aftësinë tuaja për të kundërtën. Këto janë disa masa që nuk kanë faturë të konsiderueshme ekonomike, por kërkojnë më tepër vision, përgjegjësi e dinamizëm në realizimin e tyre. Jeni një nga sektorët të cilët ne i japim një rëndësi jo të vogël. Mbi të gjitha, nëpërmjet duarve tuaja, aktualisht kalojnë dhe përplasen interesat e qytetarëve më në nevojë të shoqërisë që kanë probleme për transportin", përfundoi Kryeministri..